Sport

Atletico ndjek hapin me Barçën e Realin

Ekipi i Diego Simeones, Atletico Madrid, është këndellur nga humbja e xhiros së kaluar ndaj Barcelonës në shtëpi.

Djemtë e Simeones arritën të regjistrojnë një fitore të nevojshme për t’u ngjitur në vendin e tretë në tabelën e La Ligas, pasi mposhtën si mysafir skuadrën e Malagas.

Goli i parë u shënua nga Koke pas një asistimi nga Fernando Torres në minutën e 26-të, kurse goli i dytë dhe përfundimtar i takimit erdhi në pjesën e dytë, gjegjësisht në minutën e 74-të nga Filipe Luis, i cili po ashtu u asistua nga Torres, i cili si duket e ka gjetur sërish veten pas atij lëndimit të para disa javësh që ra pa ndjenja në tokë, raporton Koha.net.

Ndonëse në bankën rezervë ishte ftuar edhe shqiptari Keidi Bare, ai nuk pati rast të paraqitej në fushën e blertë.

Me këtë fitore, Atletico zë vendin e tretë, por që Sevilla sërish mund t’i zë vendin pasi është me një lojë më pak dhe nesër e pret në shtëpi skuadrën Gijon, që gjendet në pjesën fundore të tabelës.

Ndërkaq, Malaga nuk di për fitore tash e disa ndeshje dhe me këtë humbje zë vendin e 16, 2 pozita larg rënies nga liga superiore spanjolle.