Mbrojtësi i krahut të majtë, Alex Moreno, do ta vazhdojë karrierën në Angli. “AS” ka njoftuar të martën se Aston Villa ka arritur marrëveshje me Real Betisin për transferimin e Morenos gjatë këtij muaji.
Moreno gjatë kësaj jave do t’i bashkohet ekipit anglez, tek i cili do të zyrtarizohet pasi t’i kalojë testet mjekësore.
Për transferimin e 29-vjeçarit, i cili kërkohej me ngulm nga trajneri Unai Emery, Aston Villa ka paguar 15 milionë euro.
Moreno me ekipin e ri do të firmosë kontratë katërvjeçare. Moreno prej vitit 2019 është pjesë e Betisit, ndërsa kishte kontratë deri në vitin 2025.
Në 19 paraqitje në të gjitha garat për ekipin spanjoll, Moreno ka bërë edhe tri asistime. Para se t’i bashkohej Betisit, Moreno ka bërë karrierë edhe te Elche e Rayo Vallecano.