Ideja që Arsenali dhe Manchester Unitedi përballen për titullin e kampionit në Premier League duket si një rikthim në një epokë të shkuar, për të cilën shumë tifozë të rinj janë pak të informuar. E njëjta gjë vlen edhe për disa lojtarë.
Sulmuesi i Arsenalit, Bukayo Saka, ishte vetëm dyvjeçar kur “Të pathyeshmit” e Arsene Wengerit fituan titullin e fundit të klubit londinez në vitin 2004. Ai ishte 11 vjeç kur Unitedi në vitin 2013 u shpall kampion për herën e fundit.
Dy skuadrat megjithatë shkojnë në ndeshjen e së dielës në “Emirates Stadium”, duke e ditur se fitorja do të ishte një nxitje e rëndësishme për ambiciet për titull në kurriz të tjetrës, edhe nëse mbeten dyshime mbi aftësinë e tyre për të thyer dominimin e Manchester Cityt.
Arsenali vazhdon të ngatërrojë parashikimet duke u forcuar në krye të renditjes, me fitoren e javës së kaluar në derbin e Londrës veriore ndaj Tottenhamit si dëshmi e fundit që skuadra e drejtuar nga Mikel Arteta është një pretendent i vërtetë. Ndërsa, vrulli i Unitedit mori një goditje të mërkurën kur pranoi golin e barazimit kundër Crystal Palacet, ndonëse fitorja kundër Cityt javën e kaluar ishte një tjetër shenjë e përmirësimit të vazhdueshëm nën drejtimin e trajnerit Erik ten Hag.
Unitedi ka humbur vetëm një nga 20 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke fituar 16 herë në atë seri. Forma e të dyja skuadrave ofron një ndeshje të shumëpritur, duke kujtuar betejat e famshme të së kaluarës kur të dy ekipet garuan vazhdimisht kundër njëra-tjetrës për titullin, në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000.
Një fitore për Arsenalin do t'i jepte fund diskutimeve për arritjen e Unitedit në krye këtë sezon, duke e rritur diferencën midis klubeve në 11 pikë. Unitedi është skuadra e vetme që ka mposhtur Arsenalin në ligë këtë sezon dhe ka motivimin për të ngushtuar diferencën me liderët, nëse mund ta përsërisë atë arritje.
Nëse takimi mes Arsenalit dhe Unitedit është një përballje e papritur për titull, atëherë konteksti i lojës së Liverpoolit kundër Chelseat, të shtunën, është gjithashtu i papritur. Liverpooli ka kaluar nga skuadra që kërkonte katër trofe vitin e kaluar në skuadër të mesit të tabelës, pas rezultateve zhgënjyese. Finalisti i Ligës së Kampionëve nga sezoni i kaluar është në vendin e nëntë, me një pikë më shumë se Chelsea. Humbjet e njëpasnjëshme në ligë kundër Brentfordit dhe Brightonit kanë përshkruar formën e çrregullt të Liverpoolit. Skuadra e drejtuar nga Juergen Klopp duket se rrezikon të humbasë top-katërshen. Fitorja kundër Wolverhamptonit në Kupën FA rriti disponimin në klubin nga Merseyside, por duhet të bëjë një garë të fortë deri në fund të sezonit në kampionat për të sfiduar kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Shpresat e Chelseat për vendin e katërt janë gjithashtu në rrezik pas një sezoni të trazuar me pronarët e rinj, Todd Boehly dhe Clearlake Capital.
Edhe
A mund të fillojë Arsenali periudhë dominimi?
Trajneri fitues i Ligës së Kampionëve, Thomas Tuchel, u shkarkua në shtator dhe presioni po rritet te zëvendësi i tij, Graham Potter, pas shtatë humbjeve në 11 ndeshjet e fundit. Fitorja e javës së kaluar ndaj Palacet ishte shumë e nevojshme, por një humbje tjetër në “Anfield Road” do të ngrinte pyetje të reja në lidhje me aftësinë e ish-trajnerit të Brightonit për të marrë drejtimin e një ekipi me profil kaq të lartë.
Ndeshja e West Hamit kundër Evertonit të shtunën është një përballje mes dy skuadrave që po fundosen me shpejtësi. Të dyja janë në zonën e rënies pas ecurisë së mjerueshme, me West Hamin që ka fituar një nga tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat dhe Evertonin që ka fituar një nga 13 ndeshjet e fundit dhe është pa fitore në nëntë ndeshje. Për ta bërë edhe më interesante këtë ndeshje, trajneri i West Hamit, David Moyes, ishte më parë në krye të Evertonit përpara se të largohej për të marrë drejtimin e Manchester United në vitin 2013. Trajneri i Evertonit, Frank Lampard, e filloi karrierën si lojtar në West Ham.
Forma e Leicesterit gjithashtu ka rënë që nga pushimet, kurse ekipi qëndron dy pikë mbi zonën e rënies para ndeshjes kundër Brighton të shtunën. Katër humbje radhazi në ligë kanë penguar ringjalljen e mbikëqyrur nga trajneri Brendan Rodgers pas një fillimi të dobët të sezonit.