Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Arat Hosseini, një futbollist në ardhje

Mohamed Hosseinit asnjëherë nuk i ka shkuar në mendje se djali i tij, Arati, i cili lindi më 30 shtator të vitit 2013 në Iran, një ditë do të bëhej sensacion i vërtetë i rrjeteve sociale. Por, kjo është pikërisht ajo që Arat është tani, dhe dëshmia më e mirë për këtë janë më shumë se katër milionë ndjekësit që i ka në llogarinë e tij në Instagram.

Ende vetëm gjashtëvjeçar, Arat është bërë biseda e tifozëve të futbollit kudo në botë falë aftësive të jashtëzakonshme, të cilët kanë nxitur edhe reagimin e shumë yjeve të këtij sporti, përfshirë këtu edhe argjentinasin e Barcelonës, Lionel Messi, shkruan FIFA.com.

Messi ka lavdëruar talentin e Aratit, duke shtuar se atë e pret një e ardhme shumë e ndritur si futbollist. Duke i pasur të gjitha këto sinjale parasysh, Mohamedi pret shumë nga i biri Arati, i cili tashmë ka filluar të ëndërrojë se do të jetë futbollisti më i mirë në botë, transmeton KOHA.

Në fakt, talenti i Aratit nuk është i kufizuar vetëm në futboll. Kushdo që sheh fizikun e tij, nuk mund të mos vërejë muskujt e tij të stomakut dhe duart e forta. Mohamedi zbuloi se djali i tij kishte duar jashtëzakonisht të forta kur ishte tremuajsh, gjë që e inkurajoi atë ta regjistronte Aratin në një klub të gjimnastikës.

"Kur Arati ishte një djalë i vogël ai lëvizte vazhdimisht dhe ishte gjithmonë aktiv. Ai filloi të bënte gjimnastikë edhe para se ta regjistroja në një klub të vogël. Ai ishte shumë entuziast. Ishte vetëm pesëvjeçar në atë kohë dhe unë e inkurajoja, por kërkova mundësi më të mira për të, për shkak se ai gjithmonë ka qenë i dhënë pas sportit”, thotë Mohamed, i cili e largoi të birin nga gjimnastika për ta futur në botën e futbollit.

Edhe Messi flet për foton virale me Yamalin në duar Botërori 2026 Messi flet për foton virale me Yamalin në duar

Arat tani aftësitë e futbollistit po i zhvillon në akademinë e Liverpoolit, saktësisht në njërën prej filialeve që është në Iran.

I pyetur për famën globale që arriti djali i tij, Mohamed tha: “Arati u bë i njohur në Azi si një gjimnast kur ishte shumë i ri. Kur filloi të luante futboll, më shumë njerëz në mbarë botën filluan ta shikonin, dhe ne morëm një shans për të biseduar me shumë njerëz, duke përfshirë këtu të famshmit. Arati tani konsiderohet një model roli për fëmijët, gjë që është e shkëlqyeshme”.