Trajneri Carlo Ancelotti ka insistuar të hënën se Real Madridi nuk do ta nënçmojë Chelsean në ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Ancelotti kategorikisht ka hedhur poshtë sugjerimin e homologut të tij, Thomas Tuchel, që kjo sfidë ka marrë fund.
Pas fitores 3:1 të Real Madridit javën e shkuar në “Stamford Bridge”, trajneri i Chelseat, Tuchel, ka deklaruar se ekipi i tij nuk ka gjasa të kualifikohet në mesin e katër skuadrave më të mira e as ta mbrojë trofeun e fituar vitin e shkuar. Megjithatë, Ancelotti këmbëngul se Reali nuk do të marrë asgjë si të garantuar në “Santiago Bernabeu” të martën (21:00) kundër ish-skuadrës së tij, ndërsa ai përpiqet ta përfundojë punën dhe të arrijë në gjysmëfinale.
“Chelsea do të jetë këtu për të ofruar një luftë të vërtetë. Natyrisht që do të jetë vështirë për anglezët, por ata do të tentojnë. Ekipet e mira dhe të forta nuk dorëzohen”, tha Ancelotti në konferencën për shtyp.
Skuadra e Chelseat dha një përgjigje të përkryer vikendin e shkuar duke e shkatërruar Southamptonin me rezultatin 6:0 në Premier League dhe mund të marrë pak frymëzim nga fitorja 4:0 e Barcelonas në “El Clasico” para tri javësh.
“I njoh mirë futbollistët e mi. Ata e dinë shumë mirë se çka ndodhi javë më parë kundër Barcelonas dhe çka kërkohet prej tyre ndaj Chelseat. Nuk do ta nënçmojmë askënd. Kjo është një mundësi e artë për të arritur në gjysmëfinale, por Chelsea është ekip i mirë. Ne duhet ta respektojmë”, insistoi Ancelotti. “Mënyra e vetme që të jemi të përgatitur për këtë ndeshje është të mendojmë se Chelsea do të jetë ekip më i mirë dhe gati për të luftuar. Nuk ka rrugë tjetër. Ne jemi gati. E kemi parasysh se do të vuajmë, por jemi gati të vuajmë për të arritur në gjysmëfinale”.
Edhe
Ancelotti flet për të ardhmen pas eliminimit nga Championsi
Për dallim prej Ancelottit, mesfushori i Realit, braziliani Casemiro, ka insistuar se madrilenët paraqitjen më të mirë këtë sezon e patën kundër Chelseat në ndeshjen e parë çerekfinale.
“Por, nuk bën t’i lejojmë vetes vetëbesim të madh. Duhet të jemi të përulur”, paralajmëroi ai.
E ardhmja e Ancelottit te Reali ishte në dyshim pas poshtërimit në “El Clasico”, por tri fitore rresht që nga ajo ndeshje, përfshirë edhe atë ndaj Chelseat, kanë ulur disi presionin mbi teknikun italian. Reali prin në La Liga me 12 pikë më shumë se përcjellësi më i afërt. I pyetur nëse pret që edhe edicionin e ardhshëm të jetë në krye të Realit, Ancelotti dha një përgjigje më diplomatike.
“Shpresoj që po. Kam një kontratë relativisht të gjatë, deri në vitin 2024, por nuk po mendoj për këtë çështje tani. Nëse klubi është i kënaqur me mua, atëherë është shumë mirë. Nëse jo, unë do ta falënderoj për mundësinë që ta drejtoj Realin sërish”, shtoi Ancelotti.
Sulmuesi Karim Benzema shënoi “hat-trick” ndaj Chelseat në ndeshjen e parë dhe do të jetë kërcënimi më i madh për londinezët edhe në Madrid. Ai ka shënuar 42 gola në 42 ndeshje të luajtura këtë edicion. Forma e tij shkëlqyese vjen në kontrast të plotë me Romelu Lukakun e Chelseat, i cili i kushtoi klubit 115 milionë euro verën e kaluar, por nuk e ka bindur trajnerin Tuchel.
“Karimi është një sulmues modern. Sulmuesit modernë nuk shënojnë vetëm golat. Ata duhet edhe të mbrohen. Ata duhet të luftojnë. Sipas mendimit tim, Karimi është modeli i sulmuesit modern”, shtoi Ancelotti.
I pyetur nëse Madridi mbështetet shumë te Benzema, Ancelotti tha: “Nuk kam asgjë për të fshehur. Ne mbështetemi tek ai dhe jam i lumtur për këtë”.
Casemiro tha se Benzema është një “lojtar historik për klubin” dhe “ndoshta tani lojtari më i rëndësishëm që e kemi”.
Edhe
Te Real Madridi vlerësojnë rivalin e qytetit
Casemiro u hodh gjithashtu në mbrojtje të uellsianit Gareth Bale, i cili u vërshëllye nga një pjesë e tifozëve të Real Madridit të shtunën teksa u inkuadrua nga banka e rezervistëve kundër Getafes për të bërë paraqitjen e tij të parë në stadiumin “Santiago Bernabeu” që nga muaji shkurt i vitit 2020.
“Të gjithë jemi të prekur kur një lojtar fishkëllehet”, tha Casemiro. “Kam dëgjuar duke e fishkëllyer Balen dhe nuk më pëlqeu kjo. Ai është një lojtar historik dhe kur e fishkëllen po fishkëllen historinë e këtij klubi”.