Granit Xhaka ishte fitues i madh i ndeshjes së Bayer Leverkusenit me Bayernin. Leverkuseni fitoi 3:0, ndërsa Xhaka shkëlqeu si zakonisht. Me fitoren e së shtunës, Bayer Leverkuseni ka bërë hap të rëndësishëm drejt titullit në Bundesligë.
“Graniti është luftëtar i vërtetë, ai e tregoi zemrën e madhe që ka”, ka thënë Xabi Alonso, trajneri i Leverkusenit, njofton Blick. Pas ndeshjes, trajneri i Leverkusenit, Alonso, përqafoi Xhakën dhe e falënderoi atë. Në minutën e 34-t të ndeshjes Xhaka mbajti kofshën e tij. Kishte dhembje, por nuk u ndal. “Isha pak i shqetësuar”, pranon Alonso. Xhaka shtrëngoi dhëmbët dhe vazhdoi ndeshjen.
“Ai me të vërtetë dëshironte të qëndronte në fushë dhe vazhdoi të luftonte”, ka theksuar Alonso, duke vlerësuar lartë liderin e skuadrës së tij. “Ai vazhdoi të luante në mënyrë shumë të disiplinuar dhe i fokusuar”. Me gjithë telashet, Xhaka i vrapoi 12.25 kilometra ndaj Bayernit. Alonso thotë se Leverkuseni përfiton shumë nga mentaliteti i Xhakës. “Është lider agresiv dhe vazhdimisht shtyn kufijtë”.
Lideri i mbrojtjes së Leverkusenit, Jonathan Tah, po ashtu ka lavdëruar Xhakën.
“Graniti ishte i jashtëzakonshëm. Ai gjithmonë na jep shumë stabilitet, me apo pa top. Komunikon shumë me ekipin. Hap rrugën për ekipin. Kjo është shumë mirë për ne”. Xhaka nuk ka folur pas ndeshjes. U shpreh më së miri në fushën e lojës.