Finale është konsideruar ndeshja e Kosovës me Çekinë, nga dy yjet e “Dardanëve”, Milot Rashica e Fidan Aliti.
Në konferencën për media, pas stërvitjes së dytë të Kosovës para ndeshjes të së enjtes, të dy lojtarët kanë thënë se besojnë në fitore.
“Një ndeshje shumë e rëndësishme. Ne e shohim si finale. Unë besoj tek ekipi dhe nëse e luajmë atë futboll siç e luajmë gjithmonë, mund të dalim fitues. Ne e dimë çfarë kualiteti ka Çekia dhe do të jetë edhe më vështirë se sa ishte këtu për ne. Nëse vazhdojmë ta mbajmë grupin kështu besoj që do të dalim mirë. Secili lojtar e jep maksimumin dhe unë mendoj qe jo vetëm Kosova si kombëtare por ky shtet ky popull e meriton të jetë në Evropian”, ka thënë Aliti, transmeton KP.
“Normal e dimë që deri më tani pritet të jetë ndeshja më e rëndësishme, është si finale për ne. Njëherë do të mendojmë vetëm për Çekinë dhe do të japim maksimumin që të marrim rezultat pozitiv”, ka deklaruar në anën tjetër Rashica.
Për mungesën e sulmuesit Vedat Muriqi, Rashica u shpreh se do të jetë mungesë e madhe për Kosovën, por ka shtuar se edhe pa të do të japin maksimumin.
Ndeshja mes Kosovës dhe Çekisë zhvillohet të enjten me fillim nga ora 20:45 në Plzen.