Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

“Albanian Eagle”, pjesë e Kampionatit Botëror të Raftingut

Kombëtarja e Federatës Shqiptare të Raftingut “Albanian Eagle” është duke garuar në Kampionatin Botëror të Raftingut.

Shqipëria përfaqësohet në kategorinë R4 – U23 (të rinjtë nën 23 vjeç) në disiplinat zbritje në lumë, zbritje me pengesa dhe garat H2H (kokë më kokë) me kapiten skuadre Murat Mamurani dhe sportistët Ergi Opingari, Ameda Kuqo, Edison Daja, Ali Spathara dhe Pirens Zhara.

Danilo Barmaz, president i Federatës Botërore të Rafting (WRF) tregon se më të mirët e botës janë mbledhur në Itali për të garuar. Më shumë se 35 ekipe, nga 15 vende pjesëmarrëse, do të garojnë në pragje të lumit Dora Baltea fillimisht në Villeneuve (Aosta) dhe më pas në stadiumin Canoe të Ivrea.

WRF, pas arritjes së një marrëveshje bashkëpunimi me Federatën Ndërkombëtare të Kanotazhit (I.C.F), në 2018 u bë anëtare zyrtare e I.C.F dhe është pikë referimi për rafting në mbarë botën. Partneriteti me I.C.F është i rëndësishëm për sigurinë afatgjatë të rafting dhe renditjen e mundshme në ngjarjet shumësportëshe, duke përfshirë Olimpiadën, në vitet e ardhshme.

Zamo Spathara, president i Federatës Shqiptare të Raftingut thotë Raftingu është një sport që na bën më të përgjegjshëm për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe në veçanti lumenjve. Rafting zhvillon po ashtu ndjenjat e miqësisë dhe frymën e skuadrës. Të rinjtë e angazhuar me rafting bëhen më të fortë dhe aktivë, duke shmangur lodhjen, letargjinë dhe duke u larguar nga veset apo zakonet e dëmshme për shëndetin dhe shoqërinë. Albanian Eagle falenderon gjithë mbështetësit dhe çdo vizitor i cili ka zgjedhur aktivitetin e rafting në Shqipëri, pasi falë kontributit të tyre, u arrit një përfaqësim dinjitoz i Shqipërisë dhe potencialit të jashtëzakonshëm të vendit tonë për turizmin e aventurës. Në një të ardhme të afërt Shqipëria do të jetë një nga vendet pritëse të një prej garave më të rëndësishme të rafting-kajak në ujërat e rrëmbyera të lumit Vjosa dhe Kanioneve të Osumit.

Artikuj të ngjashëm