Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Agjenti konfirmon se Hysaj ishte afër kalimit te Chelsea

Agjenti i Elseid Hysajt ka thënë se lëvizja e Maurizio Sarrit nga Napoli te Chelsea ka ndalur klientin e tij që të bënte veprimin e njëjtë.

Ish-trajneri i Napolit kaloi te Chelsea muajin e shkuar, ndërsa si pjesë e marrëveshjes presidenti napolitan Aurelio De Laurentiis kishte kërkuar që Sarri të mos marrë asnjë lojtarë të Napolit me vete.

Tani Mario Giuffredi thotë se kjo i kushtoi shqiptarit që të humbë një marrëveshje luksoze për kalim në Premier Ligë.

“Për Elseidin, kemi biseduar për transferim te Chelsea. Por më pas, Sarri kaloi dhe fatkeqësisht gjasat për kalim tutje u mohuan”, ka thënë ai për “RMC”.

Giuffredi ka shtuar se Napoli duhet të “ngutet” që të bëjë gati kontratën e re me lojtarin, pasi ai ka vetëm edhe dy vjet në kontratën aktuale.