Korrekt e ka cilësuar sezonin e sapo përfunduar të Superligës së Kosovës, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.
Në një mesazh urimi për përmbylljen e sezonit, Ademi ka thënë se është i lumtur që kampionati dhuroi emocione deri në minutat e fundit.
“Fundjavën që e lamë pas u përmbyll pjesa e rregullt e kampionatit në IPKO Superligë dhe në Ligën e Parë, derisa edhe në ligat tjera kemi arritur në finish. Pas një gare shumë interesante dhe me rivalitet të skajshëm sportiv, që mbase nuk mbahet mend si e tillë deri tash, titullit të kampionit në elitën e futbollit tonë iu gëzua me meritë KF Feronikeli, që në ndeshjen e fundit të kampionatit arriti të shënojë fitore ndaj konkurrentit direkt Prishtinës, për t’u kurorëzuar me titullin e tretë në histori të klubit. Jam i lumtur që ky kampionat na dhuroi emocione deri në 90 minutat e fundit, ku edhe një herë u dëshmua se nëse punohet seriozisht, vendosen objektivat me kohë dhe ka investime në klube, atëherë edhe suksesi është i arritshëm”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se edhe inkuadrimi i Vushtrrisë e Dukagjinit në Superligë do t’i bëjnë mirë futbollit “duke pas parasysh organizimin e tyre dhe përkrahjen e gjerë që gëzojnë nga tifozët”.
“Duke i përgëzuar të gjitha klubet për një edicion në përgjithësi korrekt, shpresoj se ky kampionat do t’i shërbejë të gjithëve si nxitje për organizim edhe më të mirë për edicionin e ardhshëm në të gjitha rangjet, në mënyrë që të rrisim edhe më tutje cilësinë e lojës por edhe shikueshmërinë në futbollin tonë”, ka thënë në fund Ademi.
-
Ademi uron fillimin e edicionit të ri: Futbolli i Kosovës po rritet
-
Superliga fillon të premten, FFK-ja dhe klubet janë gati
-
Ademi në 10-vjetorin e pranimit në UEFA: Kualifikimi në Euro 2028, objektiv i arritshëm
-
Pa asnjë votë kundër, Agim Ademi rizgjidhet kryetar i FFK-së
-
Më 5 shkurt Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, Agim Ademi kërkon edhe një mandat