Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ademi: 183 futbollistë që luajnë jashtë janë në listën e FFK-së

Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka thënë se Kosova nuk do të ketë problem në gjetjen e futbollistëve në të ardhmen. Në Interaktiv të KTV-së, Ademi ka thënë se FFK ka në listën e vet 183 futbollistë që luajnë jashtë Kosovës e me të cilët është në kontakt që në të ardhmen të luajnë për “Dardanët”.

“Ka tendencë nga ne dhe dëshirë të lojtarëve që të vijnë për Kosovën. Jemi në bisedime me disa futbollistë. Kemi 183 futbollistë që veprojnë jashtë e që janë në listat tona”, ka thënë ai duke e përmendur rastin e Loret Sadiku që për shkak të një dokumenti të paraqitjes me Shqipërinë nuk ka arritur akoma të marrë lejen e FIFA-s për t’iu bashkuar Kosovës. Pavarësisht këtij problemi, Ademi ka thënë se Shqipëria nuk dëshiron ta pengojë lojtarin dhe se dy federatat kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme.

Ademi ka bërë të ditur se FFK do të mbajë kampe me futbollistët kosovarë në Zvicër e Gjermani ku ka koncentrim më të madh të shqiptarëve dhe se është në kontakt të vazhdueshëm me prindërit, menaxherët dhe trajnerët e futbollistëve. “Besoj se s’do të kemi asnjëherë problem për futbollistë”, ka shtuar ai.

Sa i përket përjashtimit të Valon Behramit nga përfaqësuesja e Zvicrës, Ademi ka thënë se ky duhet të jetë mesazh për të gjithë dhe se përjashtimi i tij ishte i pajustifikueshëm.

Ademi ka folur edhe për stadiumin e rinovuar “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe ndeshjen e parë testuese që u mbajt në të, ajo e Superkupës mes Dritës dhe Prishtinës, duke thënë se beson që UEFA do t’i japë licencimin për ndeshje ndërkombëtare.

“Ishte ndeshja e parë që ishte e vlerësimit nga UEFA. Realisht mendoj se ka shkuar mirë sepse gradualisht dhe permanent e kanë përcjellë inspektorët bashkërisht me ekipin e FFK-së, ministrisë e kompanisë që e ka ndërtuar dhe paraprakisht e kanë ditur se në çfarë gjendje jemi. Deri në ndeshje ishin vetëm dy-tri gjëra që duhej përfunduar dhe ndeshja ishte për t’i parë sa janë kompletuar ato. Ka disa vërejtje, por duhet të presim raportin. Besoj që do të marrim pozitivisht përgjigjen dhe do të kemi licencimin e stadiumit ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë. Kanë qasje pozitive, por ka vend për përmirësim. Mendojmë se brenda 24 orëve duhet të vijë. Besoj shumë edhe pse s’mund të them pa e pa licencimin nga UEFA. Gjasat janë të mëdha”, ka shtuar ai.

Edhe Ademi: “Fadil Vokrri” do të rritet Sport Ademi: “Fadil Vokrri” do të rritet

Ademi ka treguar se do të bëjnë përpjekje për të krijuar mundësinë e blerjeve online të biletave për ndeshjet e Kosovës për ndeshjet si vendas në stadiumin me kapacitet rreth 12600-12700 ulëseve. Ka shtuar se për ndeshjen e parë si vendase në Ligën e Kombeve, atë me Ishujt Faroe më 10 shtator, duhet të ketë pika të shitjes në çdo qytet dhe çdo blerës mund të caktojë vetë ulësen.

Sa i përket përfaqësueses, Ademi ka thënë se tash është koha për të marrë rezultate pozitive sepse lojtarët po e njohin më mirë njëri-tjetrin. Ka shtuar se stadiumi kombëtar do të nisë të ndërtohet në muajin shkurt të vitit të ardhshëm duke konsideruar se pret që ai të kompletohet për dy vjet.