Sport

Nikli e 89-shi para ndeshjeve që s'bën të humben

Kampioni në fuqi, Ferronikeli, të premten, mori një lajm të mirë, ndërsa të shtunën synon të bëjë hapin e radhës në garën për titull në Vala Superligën e Kosovës në futboll.

Ferronikeli ka njoftuar të premten se mesfushori Mentor Zhdrella dhe sulmuesi Blerand Kurtishaj do të jenë të gatshëm për derbin rajonal ndaj Drenicës, që zhvillohet të shtunën (sot, 15:00) në stadiumin "Rexhep Rexhepi" në Drenas, shkruan sot Koha Ditore.

Dy prej lojtarëve më të rëndësishëm i kanë munguar për kohë të gjatë Niklit. Zhdrella ka munguar në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Kurtishaj pritet të luajë ndeshjen e parë në pranverë.

Ata kthehen në kohën e duhur - në fillim të fazës së tretë dhe vendimtare të garave. Ndeshja ndërmjet Ferronikelit dhe Drenicës është e vetmja e ditës së shtunë dhe i takon xhiros së 23-të, xhiro që është hapur të premten.

Fitorja e Prishtinës ndaj Ferizajt ka bërë që gara për titull të jetë edhe më e madhe, ndërsa te skuadra nga Drenasi e dinë që vetëm fitorja, sidomos në një ndeshje në shtëpi, ofron mundësi për të ndjekur hapin me Trepçën '89.

Në klasifikim prin Trepça '89 me 54 pikë nga 22 ndeshje, ndërsa Ferronikeli ka 48 pikë nga 22 ndeshje. Prishtina me fitoren e së premtes ka 45 pikë nga 23 ndeshje. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.