Sport

Hirscher vendos rekord me titullin e shtatë të Kupës së Botës

Marcel Hirscher i ka vënë kapak stinorit të tij fenomenal, duke fituar titullin e shtatë të përgjithshëm në Kupën e Botës në skijim alpin. Austriaku siguroi titullin me triumfin të dielën në garën e sllallomit në Kranjska Gora të Sllovenisë.

Hirscher me fitoren e shënuar rriti epërsinë në 289 pikë ndaj norvegjezit Henrik Kristoffersen që është i dyti në renditje, shkruan AP, transmeton “Koha Ditore”. Norvegjezi, një specialist në disiplinat teknike si sllallom dhe sllallom të madh, nuk do të mundë të tejkalojë më Hirscherin, pasi do të garojë vetëm edhe në dy gara këtë stinor, që garantojnë maksimalisht 200 pikë.

“Më duket joreale, nuk po mund të besoj”, ka thënë Hirscher, që po ashtu ka siguruar titujt e sllallomit dhe sllallomit të madh këtë fundjavë, dy javë para garave të fundit të stinorit në Suedi.

“Tash do të shkoj në pushim njëjavor në Are të Suedisë. Është vërtet gjithmonë mirë kur stresi largohet”.

Duke krijuar një epërsi prej 0.82 sekondash pas raundit të parë të sllallomit të dielën, Hirscher nuk u ndalë as në raundin e dytë dhe e rriti epërsinë në 1.22 sekonda. Ramon Zenhaeusern i Zvicrës doli i treti. I dyti ishte norvegjezi Kristofersen.

Pak pasi përfundoi garën, Hirscher u shtri në borë dhe festoi fitoren... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)