Pingpongistja kineze, por që tash përfaqëson Luksemburgun, 55-vjeçarja Ni Xialian, do të jetë sportistja më e vjetër në lojërat olimpike "Tokio 2020" në sportin e saj.
Vetëm pak ditë para se të festojë ditëlindjen e 56-të, Xialian i ka bërë vetes dhuratë një medalje në lojërat evropiane "Minsk 2019" që po mbahen në Bjellorusi, duke shokuar opinionin sportiv. Xialian të enjten ka fituar medaljen e bronztë, pasi ka mposhtur bashkëkombësen e saj Yang Xiaoxin, që përfaqësoi Monacon me rezultatin 4:2 në sete (11-3, 3-11, 10-12, 11-7, 11-7, 11-8).
"Është një ndjenjë e jashtëzakonshme, të cilën nuk kam fjalë për ta përshkruar. Nuk kam besuar se në këtë moshë do të fitoj medalje, ndonëse kam qenë e përgatitur dhe kam menduar edhe për pjesëmarrjen vitin tjetër në Lojërat Olimpike", ka thënë Xialian, që më 4 korrik mbush 56 vjet.
Për pingpongisten e lindur në Shanghai, paraqitja në LO "Tokio 2020" do të jetë e pesta në karrierë. Xialian ka fituar edhe dy tituj të botës në pingpong. Dhe titujt i ka fituar para 36 vjetëve, më 1983, në konkurrencën individuale dhe në çifte të përziera. Këta tituj i ka fituar duke përfaqësuar Kinë, kurse prej vitit 1991 e përfaqëson Luksemburgun. Për herë të parë Xialian në Lojërat Olimpike është paraqitur në vitin 2000 në Sydney, për të vazhduar në "Pekini 2008", "Londra 2012" dhe "Rio 2016"... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)