Sport

Kosova të martën mëson kundërshtarët e parë në Ligën B, Serbia e Bosnja “përjashtohen”

Descriptive Text

Pas serisë prej 14 ndeshjeve pa humbje, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll pas një muaji do të nisë me takimet shumë më sfiduese. Për herë të parë futbollistet e Kosovës do të luajnë në Ligën B.

Në fakt, më 3 prill nisin kualifikimet për Kampionatin Evropian që vitin e ardhshëm mbahet në Zvicër. Faza e parë e kualifikimeve është e njëjtë me Ligën e Kombeve të UEFA-s. Përfaqësueset evropiane të futbollisteve janë të ndara në tri nivele, përkatësisht në tri liga, varësisht nga rezultatet që kishin në edicionin e parë të Ligës së Kombeve të UEFA-s.

Kosova e kishte fituar grupin në Ligën C të Ligës së Kombeve dhe kështu është graduar në Ligën B.

Shorti për fazën e parë të kualifikimeve për “Euro 2025” tërhiqet të martën prej orës 13:00 në Nyon. 16 përfaqësueset më të mira evropiane do të garojnë në Ligën A. Përfaqësueset prej pozitës 17 deri në 32 garojnë në Ligën B, ndërsa përfaqësueset prej pozitës 33 deri në 51 janë në Ligën C.

Kosova është në Ligën B, pra qëndron më mirë se 19 përfaqësuese evropiane që janë në Ligën C.

Për short, Kosova do të jetë në vazon e katërt. Në këtë vazo është prapa Maltës e Izraelit dhe para Azerbajxhanit. Sipas rreshtimit, prapa Kosovës janë plot 20 përfaqësuese evropiane.

Në Ligën B do të formohen katër grupe me nga katër përfaqësuese. Në vazon e parë janë Portugalia, Zvicra, Skocia dhe Uellsi. Në vazon e dytë bëjnë pjesë Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kroacia dhe Hungaria. Vazon e tretë e përbëjnë Sllovakia, Irlanda e Veriut, Ukraina dhe Turqia. Kosova në grup do të ketë nga një përfaqësuese prej secilës vazo, pos Serbisë e Bosnjë-Hercegovinës. Përballjet Kosovë – Serbi dhe Kosovë – Bosnjë-Hercegovinë nuk i lejon UEFA.

Në Evropian direkt kualifikohen vetëm nga dy përfaqësuese prej të gjitha katër grupeve të Ligës A. Vendet e tjera plotësohen përmes plejofit. Sa i takon Ligës B, ku do të jetë Kosova, tri përfaqësueset e para në secilin grup e kanë të garantuar paraqitjen në plejof. Vetëm përfaqësueset e vendit të katërt mund të mbesin jashtë plejofit, pos që do të bien në Ligën C.

Përmes plejofit do të përcaktohen shtatë përfaqësueset e fundit që kualifikohen në Evropian. Shorti i plejofit është më 19 korrik, ndërsa ndeshjet e plejofit do të luhen në tetor, nëntor dhe në fillim të dhjetorit të këtij viti.

Por fillimisht janë shorti dhe ndeshjet në grupe. Prej 3 deri më 9 prill janë xhirot një e dy. Xhirot tre e katër janë prej 29 majit deri më 4 qershor, ndërsa xhirot pesë e gjashtë prej 10 deri më 16 korrik.

Futbollistet e Kosovës nuk kanë humbur që prej 12 nëntorit të vitit 2022, kur pësuan nga Sllovenia. Prej atëherë kanë 13 fitore e një barazim. Por përballë kanë pasur përfaqësuese të nivelit solid evropian.

Estonia, Bullgaria, Letonia, Maqedonia e Veriut, Lihtenshtajni janë përfaqësueset evropiane që i ka mposhtur Kosova gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit. Të gjitha, pos Lihtenshtajnit, janë në Ligën C. Lihtenshtajni nuk garon fare në kualifikime.

Në Ligën C është edhe Shqipëria, që për short është në vazon e parë së bashku me Slloveninë, Greqinë, Bjellorusinë e Rumaninë.

Në edicionin e parë të Ligës së Kombeve, Kosova ishte në Ligën C. E fitoi grupin me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shënoi dy fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, ndërsa kishte një fitore e një barazim me Bullgarinë.

Në fund të shkurtit futbollistet e Kosovës e fituan një turne në Turqi. Shënuan fitore ndaj Hong-Kongut, Estonisë dhe Indisë. Përfaqësuese të nivelit dukshëm më të lartë do t’i kenë përballë në ndeshjet e ardhshme.