Sport

Hendbollistet e reja të Kosovës në garë me top-përfaqësueset në Botërorin në Kinë

Descriptive Text

Përmes rrugës dytësore, Përfaqësuesja U18 e Kosovës në hendboll është kualifikuar në ngjarjen më të rëndësishme , Kampionatin Botëror për të reja. Botërori për hendbollistët deri në 18 vjet do të mbahet në Kinë prej 14 deri më 25 gusht të këtij viti.

Ende ka fare pak informata për këtë ngjarje globale. Por prej të dielës në listën e përfaqësueseve pjesëmarrëse është shtuar edhe Kosova.

Sa i takon Evropës, vendet për Botëror janë caktuar përmes suksesit në kampionatet kontinentale. Kroacia, Çekia, Danimarka, Franca, Gjermania, Hungaria, Mali i Zi, Holanda, Norvegjia, Rumania, Serbia dhe Suedia janë kualifikuar përmes Evropianit U17 të mbajtur vjet. Austria e Spanja janë kualifikuar si fituese të Kampionateve Evropiane të Divizionit B. Në njërin prej kampionateve të Divizionit B, Kosova ishte renditur e shtata.

u paraqit në ngjarjen që për synim ka zhvillimin e hendbollit, IHF Trophy, dhe siguroi “shpërblimin e madh” – biletën e Botërorit. Në vjeshtë, Kosova e fitoi garën IHF Trophy për zonën evropiane, që u organizua në Prishtinë. Të dielën e fitoi fazën ndërkontinentale, në Tashkent të Uzbekistanit. Në finalen e fortë e mposhti Nigerinë me rezultat 22:16.

“Kemi pasur lojë të vështirë ndaj Nigerisë. Nuk është përfaqësuese për t’u nënçmuar, ka niveli cilësor. Luan hendboll shumë fizik. Mirëpo vajzat tona kanë dëshmuar që janë kampione të vërteta, nuk dorëzohen pa luftë dhe këtë e treguan ndaj Nigerisë. Qëllimi ishte të marrim trofeun dhe këtë e arritëm”, ka thënë trajneri i Kosovës U18, Mitat Ferati.

Ai bëri një kombinim të lojtareve që luajnë në klubet e vendit me vajza që luajnë në klube të ndryshme në Evropë. Dhe kjo solli suksesin, që u vlerësua historik. Ferati jeton në Zvicër.

“Pjesa e parë ishte e vështirë. Kishte dyluftime në të dy anët. Në pjesën e dytë patëm vështirësi në fillim. Bëmë një ndërrim, vazhduam me një pivot dhe patëm sukses. Mbrojtja ishte fenomenale dhe unë mendoj që mbrojtja solli suksesin. Urime të gjithë dashamirëve, prindërve, vajzave, të gjithëve”, ka theksuar Ferati.

Përmes IHF Trophy, hendbollistët e Kosovës U21 kishin arritur në Kampionatin Botëror të mbajtur në Spanjë në vitin 2019. Kishin përfunduar në pozitën e parafundit. Australia ishte e fundit. Në sportet tjera ekipore, Kosova ende nuk është kualifikuar në Botëror.

Hendbollistët e Kosovës U18, shpresojnë për sukses më të madh se që kishin hendbollistët e Kosovës U21, pesë vjet më parë në Botëror. Në fakt secila fitore për Kosovën në Kinë do të ishte sukses i jashtëzakonshëm.

“Ishte një loje e vështirë, me presion psikik, dhe në pjesën e parë kishim disa telashe. Dallimi në rezultat u bë në 15 minutat e fundit. Kemi bërë më të mirën deri më tani dhe kjo dëshmon punën tonë. Në Botëror nuk do të shkojmë vetëm për t’u paraqitur, por do të synojmë edhe fitore”, ka thënë hendbollistja Arona Krasniqi, njëra prej më të dalluarave të Kosova

Në Tashkent, Kosova U18 fitoi ndaj Uzbekistanit, Guatemalës, Kaledonisë së Re dhe Nigerisë. Në Botëror përballë do të ketë përfaqësuese dukshëm më cilësore.