Sport

Peja mposht Vëllaznimin në Gjakovë

Kampionia në fuqi e elitës së basketbollit kosovar, Peja, ka shënuar tjetër fitore në Superligën e Kosovës. Pas pushimit prej tri javësh për shkak të Kupës së Kosovës dhe ndeshjeve të Përfaqësueses, Peja mposhti në udhëtim Vëllaznimin, me rezultatin 92:74.

Ndeshja i ka takuar xhiros së 22-të. Dallimin e madh në rezultat, Peja e bëri në çerekun e dytë, pasi të parin e humbi 15:14. Më pas, në 10-të minutëshin e dytë fitoi me rezultatin 36:16, për të shkuar në pushim mes pjesëve me 19 pikë epërsi, 50:31. Edhe në periudhën e tretë, Peja fitoi me rezultatin 27:23. Pavarësisht se Vëllaznimi fitoi me pesë pikë dallim në 10-të minutëshin e fundit, 20:15, nuk arriti që ta përmbys rezultatin. Peja e administroi mirë lojën dhe fitoi me 18 pikë dallim.

Larry Thomas shkëlqeu me 25 pikë, pesë kërcime e gjashtë asistime. Kontribut dha edhe Justin Davis që pati 17 pikë, katër kërcime e pesë asistime. Ndërkohë, kapiteni Arian Qallakaj shënoi 16 pikë e katër kërcime. Jahenns Manigat me 18 pikë e pesë kërcime dhe Myreon Jones me 16 pikë, pesë kërcime e pesë asistime, ishin më të mirët te skuadra gjakovare, por kontributi i tyre nuk mjaftoi për ta shmangur disfatën.

Peja pas 22 ndeshjeve ka grumbulluar 38 pikë dhe zë vendin e dytë me 16 fitore e 6 disfata. Vëllaznimi i pesti me 31 pikë, ka nëntë fitore e 13 disfata.