Sport

Barça udhëton te Bilbao, Reali te Valencia

Ndeshje shumë të forta do të zhvillohen në elitën e futbollit spanjoll në këtë fundjavë kur zhvillohet xhiroja e 27-të e La Ligas.

Athletic Bilbao që siguroi finalen e Kupës së Mbretit kundër Mallorcas më 6 prill, do të luajë në shtëpi kundër Barcelonës të dielën nga ora 21:00.

Barcelona është në ndjekje të titullit, ndërsa zë vendin e tretë me 57 pikë, dy më pak se Girona.

Athletic Bilbao është i pesti me 49 pikë.

Bilbao, që drejtohet nga ish-trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, mbështetet në formën e mirë të vëllezërve Williams, si dhe Gorka Guruzetas.

Vetëm Inaki Williams dhe Guruzeta kanë shënuar 19 gola së bashku, ndërsa Nico Williams më shumë përkujdeset për asistime për bashkëlojtarët e tij.

Real Madridi lider me 65 pikë pas 26 ndeshjeve, do të ballafaqohet me Valencian në “Mestalla”. Kjo ndeshje luhet të shtunën nga ora 21:00.

Valencia është pa fitore në dy ndeshjet e fundit, me një barazim e një disfatë.

Girona e vendit të dytë do të luajë në udhëtim te Mallorca e Vedat Muriqit të dielën në orën 18:30.