Athletic Bilbao do të luajë më 6 prill në finale të Kupës së Mbretit kundër Mallorcas së Vedat Muriqit. Bilbao të enjten mbrëma në shtëpi e mposhti Atleticon me rezultatin e thellë 3:0, dhe avancoi tutje me rezultatin e përgjithshëm 4:0.
Ndërkohë, Mallorca ditë më parë e eliminoi Real Sociedadin me rezultatin e përgjithshëm 2:1.
Vëllezërit Williams shënuan dy golat e parë të enjten mbrëma. Inaki shënoi për 1:0 në minutën e 13-të, kurse Nico e dyfishoi epërsinë tre minuta pa u mbyllur pjesa e parë, me asistim të Inakit. Gorka Guruzeta e shënoi golin e tretë në minutën e 61-të.
Finalja e 6 prillit do të luhet në stadiumin “La Cartuja” të Sevillas.
Bilbao e kërkon trofeun e 24-t në Kupën e Mbretit, ndërsa për herë të fundit ka triumfuar në edicionin 1983/84. Mallorca ka triumfuar vetëm një herë në Kupën e Mbretit, në edicionin 2002/03.