Sport

Hoxha: Isha i stresuar por jam i kënaqur me asistimin

Arbër Hoxha ishte prej më të mirëve në fushë në kualifikimin e Dinamos së Zagrebit në 1/8 e finales së Ligës së Konferencës.

Asistimi i tij në minutën e 59-të ishte i shkëlqyer kur shënoi japonezi Takuro Kaneko.

Me asistimin e Hoxhës dhe shënimin e Kanekos, Dinamo e Zagrebit siguroi avancimin tutje, pasi ndeshja kthyese me Real Betisin u mbyll 1:1.

Dinamo në Spanjë kishte fituar 1:0.

Ishte asistimi i parë për Hoxhën me fanellën e Dinamos së Zagrebit në shtatë ndeshje, qëkur ai u transferua nga Slaven Belupo.

“Ndeshje shumë e vështirë. Pësuam gol nga një pakujdesi në pjesën e parë, por punuam fort, vrapuam shumë dhe kishim shanse për të shënuar edhe më shumë gola. Gjëja më e rëndësishme është që avancuam tutje. Jam shumë i lumtur për asistimin, isha në stres. Jam krenar që ndihmova ekipin. Nuk kam ndonjë dëshirë se kush të jetë kundërshtari i radhës. Duhet të koncentrohemi për duelin e së dielës, në derbin kundër Rijekës. Sot do të festojmë dhe të fokusohemi për duelin e radhës”, ka thënë Arbër Hoxha pas ndeshjes.