Sport

Milani humb por kualifikohet tutje

Milani ka kaluar në rrethin e 16 skuadrave më të mira të Ligës së Evropës, pavarësisht se të enjten mbrëma humbi në ndeshjen kthyese 3:2 nga Rennesi në Francë.

Fitorja 3:0 e Milanit në shtëpi para një jave ka bërë që kualifikimi të mos rrezikohet shumë.

“Rossonerët” avancojnë me rezultatin e përgjithshëm, 5:3.

Benjamin Bourigeaud, i cili realizoi “hat-trick”, golin e parë e shënoi në minutën e 11-të. Luka Joviq barazoi shifrat për mysafirët në minutën e 22-të.

Bourigeaud shënoi nga penalltia në minutën e 54-t, ndërsa Rafael Leao barazoi rezultatin në 2:2, pas afër një ore lojë.

Mesfushori i skuadrës franceze e kompletoi tregolëshin dhe realizoi për 3:2, sërish nga penalltia.

Megjithatë, vendësit nuk patën më forcë për të bërë diçka më shumë dhe u eliminuan nga gara.

Toulouse dhe Benfica barazuan pa gola, por portugezët e Benficas kalojnë tutje pas fitores 2:1 në ndeshjen e parë.