Sport

Batatina krenar me lojtarët e tij, pret spektakël ndaj Prishtinës

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina është i bindur se ekipi i tij do të jetë favorit për ta fituar titullin.

Llapi mposhti 3:0 Fushë Kosovën në Lipjan, për t’iu afruar vetëm një pikë kreut të tabelës.

“Lojtarët e Llapit kanë treguar karakter. Kanë luajtur me motiv dhe antazhim maksimal. Kjo më bën të ndihem mirë, pasi nuk e kanë nënvlerësuar kundërshtarin, por janë paraqitur me angazhim maksimal deri në fund të ndeshjes. Krahas golave kemi administruar lojën plotësisht. Llapi nuk po pëson edhe shumë gola dhe kjo tregon se ka një mbrojtje të çeliktë. Më gëzon forma e mirë e Muhamet Hysenit dhe bashkë me Ahmed Januzin janë dyshja më e mirë e sulmit në Kosovë”, ka thënë Batatina.

Ai ka folur edhe për formën që po tregojnë edhe lojtarët tjerë.

“Kemi po ashtu edhe Arbnor Ramadanin i cili me pasimet e tij të sakta po tregon se është në një nivel tjetër. Është edhe Vokrri që përkundër moshës po tregon paraqitje të mira. Është me rëndësi që Llapi ka shënuar fitore me meritë dhe duke dominuar në ndeshje. Tani na pret një ndeshje tjetër e vështirë ndaj Prishtinës. Besoj se do të jetë një spektakël në tribuna ku pres të jenë 5000 shikues. Llapi tashmë ka një objektiv dhe do të mundohemi që në fushë të tregojmë spektakël ashtu siç do të jetë në tribuna”, është shprehur Batatina.

Ndërkohë, trajneri i Fushë Kosovës, Burim Shala ka vlerësuar paraqitjen e Llapit.

“Ishte një pjesë e parë, përveç golit të pësuar, thuajse e barabartë. Prita një paraqitje tjetër në pjesën e dytë, por pas golit të dytë dhe kartonit të kuq u prishën ekuilibrat. Llapi mund të them se ka skuadrën prej më të mirave në Kosovë”, është shprehur Shala.