Sport

Pa VAR, Aston Villa do të ishte lider i Premier Leagues

Aston Villa do të ishte lider në Premier League nëse VAR-i nuk do të ishte i pranishëm në edicionin aktual, ka bërë të ditur një studim i mediumit “The Sun”.

Skuadra e drejtuar nga Unai Emery për momentin është në vendin e dytë në Premier League me 42 pikë, tri më pak se Liverpooli lider. Sipas studimit të bërë, Aston Villa do të kishte katër pikë më shumë.

Aston Villa në vend të barazimit do të shënonte fitore ndaj Bournemouthit dhe Sheffield Unitedit, pasi golat e Diego Carlosit dhe Leon Baileyt, u anuluan.

Pikët e Liverpoolit nuk do të ndryshonin, edhe pse “të kuqtë” ishin përfshirë në një prej momenteve më diskutabile të edicionit. Luis Diazit iu anulua goli në humbjen nga Tottenhami, pavarësisht se kolumbiani ishte në pozitë të rregullt.

Ky gol nuk u fut në studimin e bërë nga mediumi britanik, pasi u qëndroi prapa vendimeve të marra nga gjyqtarët në fushën e lojës. Sipas studimit, Arsenali dhe Tottenhami do të kishin nga 41 pikë, kurse Manchester City i pesti do të ishte me 40 pikë.