Sport

Idrizi shënon gol në ndeshjen që u ndërpre për shkak të kaosit në tribuna

Rostock, 10 dhjetor – Mesfushori kosovar, Blendi Idrizi, ka shënuar gol në fitoren 2:0 të Schalkes ndaj Hansa Rostockut. Ndeshja e së dielës në Rostock i takoi xhiros së 16-të të Bundesliga 2 të Gjermanisë.
Më shumë se goli i Idrizit dhe paraqitja e lojtarëve në fushë, bujë bëri sjellja e tifozëve në tribuna.


 

VIDEO E GOLIT:


Në minutën e 38-të, kur rezultati ishte 0:0, ndeshja u ndërpre dhe arbitri Nicolas Winter u kërkoi lojtarëve nga të dy skuadrat që të shkonin në zhveshtore. 
Kishte tym e fishekzjarrë rreth tribunës ku ishin të vendosur lojtarët e ekipit mysafir. Sipas mediave gjermane, ka pasur përleshje mes tifozëve të dy skuadrave. Përleshja ka ndodhur në zonën që ndante tifozët.
“Një ndarje xhami në bllokun e mysafirëve u shkatërrua nga tifozët udhëtues. Disa tifozë ia dolën të depërtojnë në zonën neutrale në tribunën jugore. Forcat e policisë është dashur të vendosen mes arenave të tifozëve vendas dhe atyre mysafirë”, ka njoftuar policia e Rostockut. 
Policia ishte në tribunë dy minuta pasi tifozët mysafirë thyen xhamin që ndanë tribunat dhe ndërhynë. Pas 28 minutave lojtarët dolën në fushë dhe ndeshja vazhdoi. Junior Brumado i Rostockut u përjashtua me të kuq në minunutën e 40-të dhe kjo bëri më të lehta gjërat për Schalken. 
Mesfushori Idrizi shënoi për 1:0 në minutën e 72-të. Ai në fakt goditi nga zona, ndërsa topi i devijuar nga një lojtar vendas përfundoi në rrjetë. Schalke shënoi golin e dytë në minutën e 86-të, ndërsa menjëherë më pas Idrizi u largua nga fusha.
Për Idrizin 25-vjeçar, ishte vetëm goli i parë i këtij edicioni. Ai në fakt po ka telashe me hapësirë. Ka luajtur në pesë ndeshje ne Bundesliga 2 dhe ka edhe një asistim.
Schalke është skuadër e njohur në Gjermani, por po kalon ditë të vështira. Është e 13-ta në kategorinë e dytë me 19 pikë. Kthimi në Bundesligë duket pak i besueshëm, ndërsa sfidë aktualisht është stabilizimi në Bundesliga 2.
Ndër të tjera Schalke është e njohur për ultrasit që ka. 
Idrizi i ka gjashtë paraqitje për Kosovën, por ka kohë që nuk është ftuar në përfaqësuese për shkak të rënies së formës.