Sport

Te Slaven Belupo pranojnë se Hoxha mund t’i bashkohet Dinamos

 

Transferimi i Arbër Hoxhës te Dinamo e Zagrebit në afatin kalimtar të janarit po fuqizohet gjithnjë e më shumë, pasi edhe te Slaven Belupo kanë pranuar se gjasat janë të mëdha që sulmuesi i krahut të largohet nga ekipi. Ditët e fundit mediumet kroate kanë raportuar për arritjen e marrëveshjes mes dy klubeve për Hoxhën, por kryetari i Slaven Belupos ka thënë se asgjë nuk ka përfunduar në lidhje me këtë çështje dhe se negociatat po vazhdojnë. Kryetari i Slaven Belupos, Robert Markuli, i ka dhënë përparësi Dinamos për transferimin e Hoxhës, por ai ka pranuar se për 25-vjeçarin interesim të madh ka edhe prej skuadrave jashtë Kroacisë. Sipas tij, nëse Slaven Belupo merr atë që po e kërkon për Hoxhën, atëherë largimi i tij në janar është i pashmangshëm.

“Ajo që mund të them për momentin është se Dinamo ka treguar interesim të madh për Hoxhën, por ende nuk e kemi arritur marrëveshjen. Kemi oferta konkrete edhe nga Evropa dhe do të shohim pasi po shqyrtojmë të gjitha”, ka thënë Markulin për sajtin kroat “Index.hr”. “Për Hoxhën duam të marrim sa më shumë që të jetë e mundur, por me Dinamon kemi raporte të mira dhe për këtë arsye jemi të gatshëm të negociojmë për opsione të tjera. Nëse marrim atë që po kërkojmë, Hoxha largohet këtë dimër nga klubi ynë”.