Sport

Prishtina avancon tutje, Fushë Kosova eliminohet nga Kupa

 

Fushë Kosova është ekipi i vetëm për momentin nga Superliga që është eliminuar nga garat e Kupës së Kosovës në futboll. Fushë Kosova, u eliminua në 1/16 e finales nga 2 Korriku, ekip që bën gara në Ligën e Parë. Të mërkurën, Fushë Kosova pësoi me rezultatin 3:1 edhe pse ishte në avantazh prej pjesës së parë. Për dallim prej Fushë Kosovës, Prishtina si fituese e Kupës së Kosovës në fuqi, ka avancuar në 1/8 e finales pasi e mposhti në udhëtim Rahovecin me rezultatin 2:0.

Dukagjini ka triumfuar në udhëtim te Flamurtari 3:0, ndërsa në 1/8 e finales kanë kaluar edhe Ballkani, Feronikeli ’74 e Gjilani. Ballkani mposhti 2:0 Drenicën, sikurse edhe Feronikeli ’74 që triumfoi me rezultatin identik ndaj Istogut, ndërsa Gjilani fitoi 3:1 kundër Ramiz Sadikut. Fitoren me të thellë në këtë raund të kësaj gare, e ka regjistruar Drita që triumfoi 9:0 ndaj Dardanisë. Trepça ’89 ka eliminuar Vllazninë e Pozheranit (4:2), ndërsa Vëllaznimi ishte më i mirë se Ferizaj (2:1). Dueli mes Lirisë dhe Rilindjes 1974 ka shkuar në vazhdime pasi koha e rregullt është mbyllur me shifrat 2:2.