Mbrojtësi Ardian Ismajli ka pranuar se Shqipëria është në grupin më të vështirë të mundshëm në Evropianin e vitit të ardhshëm që do të mbahet në Gjermani. Sipas Ismajlit, Grupi B mund të quhet edhe “grupi i vdekjes”, ka shkruar mediumit kroat “24sata.hr” të hënën.
Shqipëria të shtunën e mësoi grupin dhe kundërshtarët që do t’i ketë në “Euro 2024”, pas tërheqjes së shortit në qytetin e Hamburgut. Shorti përcaktoi që Shqipëria të jetë pjesë e Grupit B të cilin e përbëjnë edhe Kroacia, Spanja e Italia. Italia është kampione në fuqi e Evropës.
Evropiani mbahet prej 14 qershorit deri më 14 korrik, ndërsa Shqipëria ndeshjen e parë do ta ketë me Italinë. Kjo ndeshje luhet më 15 qershor, përpara se Shqipëria të përballet me Kroacinë (19 qershor) dhe Spanjën (24 qershor).
“E kam përcjellë shortin në autobus, pasi ishim duke u kthyer nga Genoa me të cilën barazuam. E kemi përcjellë direkt tërheqjen e shortit dhe ishte shumë interesant, ndërsa në fund të gjithë u pajtuan se grupi ynë është më i vështiri. Është grupi i vdekjes”, ka thënë Ismajli, i cili është pjesë e ekipit nga Serie A, Empoli.
Futbollisti kosovar insiston se në Evropian nuk ka kundërshtarë të lehtë. Sipas tij, të gjitha përfaqësueset që janë kualifikuar për Evropian, e kanë synim avancimin nga faza e grupeve. Ismajli thotë se edhe në fillim të kualifikimeve për Evropian të gjithë mendonin se Polonia e Çekia ishin favorite të Grupit E, në të cilën Shqipëria përfundoi e para me 15 pikë. Ai thotë se Shqipëria meritoi plotësisht të kualifikohet, ndërsa në këtë ngjarje do të paraqitet për herë të dytë, pas debutimit në “Euro 2016”.
“Grupi në të cilin janë tri skuadrat më të mira të plejofit të Ligës së Kombeve, Spanja, Kroacia dhe Italia, është më i vështiri për Shqipërinë. Shorti përcaktoi që të jemi në grup me tri përfaqësuese të mëdha, por ju e dini se në Evropian nuk ka kundërshtarë të lehtë. Të gjithë ata që u kualifikuan e meritojnë të jenë atje dhe shpresojnë të kalojnë grupin, ashtu sikurse edhe ne. Kur nisën kualifikimet shumëkush i konsideroi favoritë çekët dhe polakët dhe në fund ishim të parët në grup, që do të thotë se e meritojmë”, tha Ismajli.
27-vjeçari me padurim pret përballjen me Kroacinë. Aty do të jenë ish-bashkëlojtarët e Ismajlit që i kishte te Hajduku i Splitit. Ismajli për katër vjet (2016 – 2020) ishte pjesë e Hajdukut, përpara se të transferohej në Itali, fillimisht te Spezia dhe tani tek Empoli.
“Te Kroacia janë Nikola Vllashiq, Josip Juranoviq e Martin Erliq, të cilin e kam njohur në Itali, si dhe disa lojtarë të tjerë. Do të jetë mirë t’i shoh sërish në fushë dhe t’i shkëmbejmë fanellat. Por, si për ata ashtu edhe për ne do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Në pesë vjetët e fundit Kroacia ka fituar tri medalje në ngjarjet e mëdha dhe të gjithë e dimë se sa e fortë është dhe çfarë mentaliteti kanë lojtarët e saj”, shtoi Ismajli, i cili i njeh lojtarët kroatë për faktin se edhe ka luajtur në kampionatin e Kroacisë. “E di mirë se sa e fortë është Kroacia në krye me selektorin Daliq, i njoh pothuajse të gjithë lojtarët dhe nuk kam nevojë të flas se çfarë individësh janë, në çfarë klubesh luajnë të gjithë”.
Ai thotë se nuk duhet harruar se pjesë e grupit nuk është vetëm Kroacia, por edhe Spanja e Italia. Sipas Ismajlit edhe Shqipëria ka rastin e saj, përkundër faktit që Spanja, Italia e Kroacia vlerësohen favorite të grupit.
“Por nuk është në pyetje vetëm Kroacia, edhe Spanja e Italia janë gjithashtu përfaqësuese të mëdha dhe do të jetë interesante se si do të zhvillohen gjërat në grup. Ne do të japim maksimumin në fushë, por futbolli është i paparashikueshëm. Besoj se edhe ne kemi një shans, pavarësisht peshës së përfaqësueseve të tjera që janë favorite”, shtoi Ismajli. “Por, jam i bindur se do të kemi shumë tifozë për të na përkrahur, pasi shumë shqiptarë jetojnë në Gjermani, Austri e Zvicër derisa shumë të tjerë do të udhëtojnë nga Shqipëria e Kosova. Të gjithë do të duan të shohim se sa mund t’i bëjmë konkurrencë tri ekipeve të mëdha dhe aspak nuk dyshoj në përkrahjen e madhe që do ta kemi”.
Ismajli beson se Shqipëria do të ketë rezultate më të mira në “Euro 2024” sesa në “Euro 2016”. Atëbotë në Evropianin në Francë, Shqipëria u eliminua në fazën e grupeve, ku regjistroi një fitore dhe dy humbje.
“Besoj se në Gjermani do të marrim rezultat më të mirë, pavarësisht grupit të fortë. Nëse pyetëm unë, atëherë do të doja që grupin ta kalojnë Kroacia dhe Shqipëria”, ka thënë mbrojtësi duke qeshur. “Edhe ne kemi ekip të mirë pasi kemi lojtarë të fortë si Asani, Berisha, Gjimshiti, Bajrami, Seferi, Ramadani, Asllani, Hysaj. Kështu që, besoj në forcën tonë”.
Ismajli tha se është i lumtur me formën e tij, pasi po luan titullar tek Empoli, në njërën prej ligave më të forta evropiane – Serie A. Ai tha se Empoli ka ekip për të siguruar mbetjen në Serie A.
“Një synim këtë edicion veçse e kam realizuar, e ai është kualifikimi në Evropian. Tanimë kanë mbetur edhe dy synime të tjera, ta siguroj mbijetesën me Empolin dhe të luaj mirë në Evropian”.