4 perditesime
14:56

Kosova me fitore të thellë siguron Ligën B të kombeve

Futbollistet e Kosovës shkëlqyen në pjesën e dytë duke shënuar katër gola, që ua siguruan inkuadrimin në Ligën B të Ligës së Kombeve. Kosova të premten në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë mposhti Bullgarinë me rikthim të rezultatit, 5:1, për vendin e parë në Grupin 5 të Ligës C.

Ndeshja ishte vendimtare për fitimin e grupit. Cilado skuadër që do të merrte pikët e plota do të garonte në një nivel më lartë në edicionin e ardhshëm. “Dardanet” nuk lejuan befasi dhe shënuan fitore të thellë.

Dimitra Ivanova në minutën e 26-të realizoi gol për Bullgarinë, që kaloi në epërsi. Por të udhëhequrat e përzgjedhëses suedeze, Anneli Andersen, u kthyen fuqishëm. Mesfushorja e Beshiktashit, Donjeta Halilaj, në minutën e 39-të e shënoi golin e barazimit. Rikthimin e madh Kosova e shënoi në pjesën e dytë. Valentina Metaj shënoi për epërsinë e Kosovës në minutën e 58-të, kurse Modesta Uka realizoi për 3:1 në minutën e 71-të.

Dy golat e fundit pas veprimeve të mira individuale i shënoi sulmuesja e Hoffenheimit, Erëleta Memeti. Kapitenia e Kosovës në minutën e 84-të fitoi një duel shpejtësie. Tentimin e parë të saj e priti portierja bullgare, ndërsa pas topit të kthyer, Memeti ishte e pagabueshme.

Me lehtësi të madhe, Memeti shënoi edhe një minutë para fundit, kur e kaloi portieren dhe realizoi në portën e zbrazët. Për Kosovën ishte ndeshja e fundit e grupit. Kosova Grupin 5 të Ligës C të Ligës së Kombeve e ka fituar me 10 pikë të grumbulluara në katër ndeshje të luajtura.

Bullgaria mbetet me tri pikë në po aq ndeshje të luajtura, kurse Maqedonia e Veriut e fundit është pa pikë. Ndeshjen e fundit, bullgaret e luajnë me futbollistet e Maqedonisë së Veriut më 5 dhjetor.

14:53

Memeti e pandalshme, shënon për 5:1

Erëleta Memeti ka shënuar edhe golin e katërt për Kosovën.

Memeti në minutën e 89-të sërish doli e pagabueshme përballë portieres kundërshtare.

E kaloi atë dhe shënoi në portën e zbrazët.

14:52

Memeti realizon tjetër gol për Kosovën

Futbollistja Erëleta Memeti ka shënuar golin e katërt për Kosovën që po marshon sigurt drejt inkuadrimit në Ligën B të Ligës së Kombeve.

Memeti pasi fitoi duelin e shpejtësisë me një kundërshtare, realizoi për 3:1 në minutën e 84-t.

Kapitenia e Kosovës mposhti portieren bullgare në tentimin e dytë.

14:37

Kosova dominuese ndaj bullgareve, shënon edhe dy gola

Kosova ka qenë dominuese ndaj Bullgarisë në pjesën e dytë dhe si rezultat i lojës së mirë, ka realizuar edhe dy gola tjerë.

Valentina Metaj në minutën e 58-të dhe Modesta Uka në minutën e 71-të, kanë shënuar për rezultatin 3:1.

Futbollistet e Kosovës janë shumë afër ta sigurojnë inkuadrimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.

13:54

Futbollistet e Kosovës po barazojnë me Bullgarinë

Futbollistet e Kosovës, që për synim kanë kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, janë duke barazuar në ndeshjen vendimtare me Bullgarinë.

Pjesa e parë e duelit mes Kosovës dhe Bullgarisë që po luhet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, është mbyllur 1:1. Dimitra Ivanova realizoi për bullgaret në minutën e 26-të. Por, mesfushorja e Beshiktashit të Turqisë, Donjeta Halilaj, i barazoi shifrat në minutën e 39-të.

Ndeshja e parë e zhvilluar në Sofje ishte mbyllur baras, 1:1. Për Kosovën, kjo do të jetë ndeshja e fundit.

Bullgaria do ta zhvillojë edhe një ndeshje më 5 dhjetor kundër Maqedonisë së Veriut. Me fitore, “Dardanet” do ta siguronin kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.