Duket pak e besueshme, por Kosova sërish do të ketë skuadër në Ligën Ballkanike në basketboll (BIBL). Edicioni i 16-të i kësaj lige, që drejtuesit e saj e quajnë regjionale, tashmë ka nisur.
Aktualisht në Ligën Ballkanike janë vetëm katër skuadra, duke përfshirë Sigal Prishtinën, skuadrën më të suksesshme të basketbollit në Kosovë. Pos Prishtinës në BIBL garojnë edhe dy ekipe nga Mali i Zi: Plevlja dhe Lovqeni i Cetinjes. Në BIBL është edhe AEL Limassol, skuadër nga Qiproja.
“Edicioni 2023/2024 do t’i përfshijë gjashtë klube. Dy prej tyre do të bëhen të ditura më vonë”, ka shkruar Liga Ballkanike.
Ka disa vjet që Liga Ballkanike mezi mbetet gjallë. Interesimi i skuadrave për të garuar në këtë ligë thuajse nuk ekziston, me pak përjashtime. Fakti që aktualisht janë vetëm katër skuadra e dëshmon këtë po ashtu.
Për më tepër, ndeshje të Ligës Ballkanike ka disa vjet që janë shumë të dyshimta për kurdisje. Dhe kjo ka bërë që kjo ligë ta humbë thuajse tërësisht kredibilitetin. Por, sërish Prishtina ka vendosur të garojë në këtë ligë, ndërsa këtë, çuditërisht, e ka lejuar edhe FBK-ja.
Federata e Basketbollit e Kosovës ka disa vjet që nuk mban kontakte me këtë ligë. Por, ka lejuar paraqitjen e Prishtinës në të.
Daut Mehmeti, arbitri kosovar i basketbollit, është dënuar përjetë nga FIBA për kurdisje të ndeshjeve në Ligën Ballkanike. Shumë ndeshje të kësaj lige ishin të dyshimta për kurdisje, ndërsa dënimi i Mehmetit në një mënyrë dëshmon që ato edhe ishin të kurdisura. Të dyshimta ishin edhe disa ndeshje të Sigal Prishtinës në këtë ligë.
“Prishtina ka kërkuar të marrë pjesë në këtë ligë dhe Bordi i FBK-së e ka miratuar këtë kërkesë. Prishtina ka kërkuar që të luajë në një garë ndërkombëtare e jo vetëm në gara të Kosovës, me arsyetimin se ka nevojë për më shumë lojë. Kështu është shkruar në kërkesën që është miratuar nga Bordi i FBK-së”, kanë thënë nga Federata e Basketbollit e Kosovës.
Liga Ballkanike ishte e para që hapi dyert për skuadrat kosovare. Por, me kalimin e viteve qasja e drejtuesve të ligës ndaj skuadrave kosovare dhe ndaj FBK-së u vlerësua se nuk ishte korrekte. Dhe kjo solli një lloj largimi mes palëve. Por, skuadra kosovare kanë vazhduar të jenë pjesë e Ligës Ballkanike. Dhe vazhdojnë të jenë ende, ndonëse dyshimet për kurdisje e po ashtu dënimi i Mehmetit u vlerësuan goditje shumë e madhe për basketbollin kosovar në përgjithësi.
Prishtina është munduar ta rrisë vlerën e pjesëmarrjes në Ligën Ballkanike, ndonëse këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë sukses.
“Rikthehemi në Ligën Ballkanike, të gatshëm për spektakël”, ka shkruar Prishtina. Të mërkurën (nesër) prej orës 18:00, Sigal Prishtina luan në Cetinjë të Malit të Zi ndaj Lovqenit.
“Klubi ynë, dy herë fitues i kësaj lige, protagonist i superorganizimeve dhe spektaklit basketbollistik, garanton se edhe këtë sezon synimi ynë është plasimi në ‘Final Four’ dhe organizimi i tij në kryeqytet, në mënyrën që vetëm Prishtina di ta bëjë”, shkruan në postimin e Sigal Prishtinës.
Me gjendjen aktuale, me vetëm katër skuadra të konfirmuara, vështirë se do të ketë nevojë për “Final Four”. Por, edhe nëse do të bëhen gjashtë skuadra, kalimi në turneun final, që Prishtina e paraqet si synim, nuk do të jetë ndonjë e arritur.
Ndeshja e parë e edicionit në Ligën Ballkanike u luajt më 15 nëntor. Lovqeni fitoi 95:75 ndaj Plevljas. Prishtina më 12 dhjetor duhet ta zhvillojë ndeshjen e parë në shtëpi. Do të takohet me Plevljan.
Sigal Prishtina vjet kishte garuar në Ligën ENBL, me skuadra nga vende të ndryshme evropiane. Kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në këtë ligë edhe këtë edicion. Por ENBL-ja më 29 shtator e përjashtoi Sigal Prishtinën “për shkak të obligimeve të papërfunduara financiare”.
Në vend të ENBL-së, Prishtina do të garojë në BIBL, ligën që në vitet e fundit më shumë ishte përfolur për kurdisje se për ndonjë vlerë të basketbollit.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.