3 perditesime
22:03

Prishtina e Ballkani barazojnë në derbi

Nuk ka dhënë fitues derbi mes Prishtinës dhe Ballkanit, i zhvilluar të dielën mbrëma në “Fadil Vokrri”.

Ndeshja e xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës në futboll përfundoi 1:1. Ballkani ishte në seri prej tri fitoreve kampionale, ndërsa vazhdon të jetë pa humbje në Superligë. Për Prishtinën është barazimi i tretë rresht. Ndeshja u vendos në pjesën e parë.

Nazmi Gripshi kaloi në epërsi Ballkanin pas gjysmë ore lojë. Menjëherë në minutën e 34-t, Jalen Blesa shënoi për të barazuar rezultatin në 1:1.

Të dy skuadrat kanë pasur raste të tjera, por pa konkretizuar. Ballkani është lider me 20 pikë. Ka një ndeshje më pak të luajtur. Prishtina është e pesta me 12 pikë.

20:52

Mbyllet baras pjesa e parë e derbit Prishtina – Ballkani

Ka përfunduar baras pjesa e parë e ndeshjes derbi në mes të Prishtinës dhe Ballkanit.

Pjesa e parë e derbit të javës së nëntë të Superligës në futboll përfundoi 1:1.

Golin për Ballkanin e shënoi Nazmi Gripshi në minutën e 30-të, kurse katër minuta më vonë barazoi Jalen Blesa.

 

20:38

Prishtina barazon rezultatin

Festa e futbollistëve të Ballkanit ka zgjatur pak minuta.

Prishtina barazoi rezultatin në minutën e 34-t në 1:1 përballë Ballkanit.

Golin e barazimit e shënoi Jalen Blesa.

Blesa shtyu topin në rrjetë nga afërsia.

Një minutë më herët Blesa qëlloi traversën me goditje me kokë.

20:34

Gripshi kalon Ballkanin në epërsi

Nazmi Gripshi e ka shënuar golin e epërsisë për kampionin e Kosovës, Ballkanit në ndeshjen ndaj Prishtinës.

Ai shënoi në minutën e 30-të për rezultatin 1:0. Grupshi pranoi një top, u lirua dhe me gjuajte të saktë mposhti portierin Ardit Nika.

Derbi i javës së nëntë i Superligës në futboll po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.