Kampioni i Kosovës në hendboll, Istogu, ka luajtur ndeshje të fortë të shtunën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. Istogu pësoi 31:30 nga skuadra portugeze 1 Maio.
Ndeshja i takoi raundit të dytë të Kupës Evropiane për hendbolliste. Ndeshja e dytë është menjëherë të dielën nga ora 18:00, po në “Karagaçi” në Pejë.
Portugezet e nisën më mirë ndeshjen dhe mbajtën epërsi të lehtë deri në minutën e 42-të kur Istogu barazoi në 21:21. Sërish ekipi portugez kaloi para, ndërsa Istogu barazimin tjetër e arriti në minutën e 58-të, 29:29. Në fund më të koncentruara ishin portugezet që fituan 31:30, falë edhe gabimeve të istogaseve.
Aloja Albina Rugova i kishte tetë gola nga nëntë tentime për Istogun. Aloja tjetër, Arlinda Dinarica, shënoi shtatë gola nga tetë tentime. Pesë gola nga pesë tentime i kishte Fatiha Haimer.
Istogu detyrohet të luajë në Pejë për shkak të gjendjes së keqe të palestrës në Istog, të hapur vetëm pak vjet më parë.