Në kohën kur Manchester Unitedi po ka mungesë të sulmuesve të krahut, goli i parë i Alejandro Garnachos këtë edicion solli festime të çmendura në tribunat e stadiumit “Old Trafford”. Me 19 vjet dhe vetëm 14 paraqitje si titullar, Garnacho tashmë ka emocionuar tifozët e klubit që besojnë se ai do të shndërrohet në superyllin e ardhshëm të Unitedit. Megjithatë, trajneri Erik ten Hag po e trajton futbollistin argjentinas me kujdes.
“Të gjithë e kanë parë se në fillim të edicionit e kam aktivizuar, por kontributi i tij nuk ishte i mjaftueshëm”, tha Ten Hag një ditë pasi ekipi i tij mposhti 3:0 Crystal Palacen dhe e eliminoi nga Kupa e Ligës.
Paraqitja e mirë e Garnachos në duelin e luajtur të martën mbrëma pa dyshim se do t’i shtojë thirrjet nga tifozët që atij t’i jepet minutazhë më e madhe. Veçanërisht këto thirrje vijnë në kohën kur Ten Hag ka shumë pak opsione në fazën e sulmit për shkak të mungesës së Antonyt dhe Jadon Sanchos. Braziliani Antony është i suspenduar për shkak të akuzave për dhunë në familje, ndërsa Sancho është përjashtuar nga ekipi i parë për “çështje disiplinore”. Përjashtimi i Sanchos ka ardhur për shkak të një postimi të futbollistit në rrjetet sociale, ku ishte ankuar për minutazhë të vogël pas duelit me Arsenalin.
Garnacho është argjentinas, por i lindur në Madrid dhe i zhvilluar në akademinë e Manchester Unitedit, e cila ka nxjerrë yjet si George Best, Ryan Giggs e David Beckham. Cilësitë e Garnachos për ndryshimin e lojës së Unitedit kanë qenë të dukshme prejse bëri debutimin e tij dy edicione më parë, ku shënoi edhe gjashtë gola. Ai shënoi golin e fitores kundër Fulhamit në Premier League edicionin e shkuar dhe pothuajse çmendi tifozët me golin që iu anulua muajin e shkuar ndaj Arsenalit, i cili do ta dërgonte Unitedin në epërsi 2:1. Ai gol u anulua pas rishikimit të VAR-it dhe Unitedi u mposht 3:1 nga Arsenali, por ishte një dëshmi se Garnacho po shfaqej në momentet më të duhura të klubit.
Këtë edicion një pjesë e madhe e lojtarëve të Unitedit janë të frustruar me mungesën e minutazhës në kohën kur klubi po përjeton një start të vështirë të edicionit. Skuadra kishte humbur katër prej pesë ndeshjeve, përpara se ta mposhte Burnleyn dhe Crystal Palacen së fundmi. Ndaj Palacet ishte vetëm ndeshja e tretë për Garnachon këtë edicion si titullar dhe Ten Hag ka thënë se duhet të shohë më shumë dhe të bindet nga tinejxheri për të pasur minutazhë më të madhe.
“Ai duhet të mësojë kur duhet bërë punën e tij në mbrojtje. Ai gjithmonë do të ketë momentin dhe do të jetë gjithmonë vendimtar, sepse ka cilësi të mëdha”, pranoi trajneri holandez. “Por mendoj se është krejt normale për një lojtar të moshës së tij që ka hapësirë për përmirësim. Të gjithë e pëlqejnë atë, tifozët e pëlqejnë, skuadra e pëlqen, mua më pëlqen, por ne gjithashtu duhet të kërkojmë prej tij dhe ta shtyjmë sepse ai mund të luajë në një nivel shumë të lartë. Por, duhet ta tregojë atë çdo ditë”.
Garnacho ka gjasa të jetë sërish titullar të dielën kur Unitedi do të përballet me Crystal Palacen në kuadër të Premier Leagues. Unitedi aktualisht zë vendin e nëntë në tabelë, me nëntë pikë të tubuara pas gjashtë xhirove të zhvilluara në kampionatin anglez.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.