Sport

Çeku për Stadiumin nacional: Një projekt kaq i rëndësishëm s’duhet të shndërrohet në betejë lokale

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për “Stadiumin nacional” ka thënë se do të ndërtohet dhe se nuk beson se ky projekt duhet të jetë çështje e një beteje lokale.

“Është me rëndësi të sqarohet se Stadiumi nacional do të ndërtohet, e kemi marrë obligim në aplikimin e kontratën tonë me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare për organizimin e Lojërave të vitit 2030. Do të ndërtohet në territor të Kosovës, do të përdoret nga sportistët dhe sportdashësit e Kosovës. S’besoj se një projekt kaq i rëndësishëm duhet të shndërrohet në betejë lokale e të zonave të ndryshme, pasi do të jetë pasuri për të gjithë”, tha Çeku në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai ka thënë se janë nënshkruar memorandume me 16 kryetarë të komunave të Kosovës dhe me Federatën e Futbollit të Kosovës.

Ka thënë se do të ndërtohen 27 stadiume të kategorive të ndryshme e fusha përcjellëse. Planifikimi është që të përfundohet me ndërtimin e infrastrukturës së futbollit deri në vitin 2028.

Ndërkohë Çeku ka njoftuar edhe ndarjen e 5.5 milionë eurove për ndërtimin e rinovimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.

“Me vendimin përfundimtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës është përmbyllur procedura e shpronësimit për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë...Projekti tashmë është hartuar, pra e kemi projektin zbatues për zgjerimin e këtij kompleksi sportiv shumë të rëndësishëm”, tha Çeku.