Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) bëri dy lëvizje drejt riintegrimit të pjesshëm të Rusisë në futbollin evropian. UEFA i bëri lëvizjet të martën, pavarësisht luftës së vazhdueshme në Ukrainë.
Organi qeverisës i futbollit evropian vendosi të provojë të kthejë ekipet ruse të grupmoshës U-17 në garat evropiane të këtij edicioni. Ky është lehtësim i një vendimi për largim të plotë të përfaqësueseve dhe klubeve ruse nga garat. Ai vendim u mor pak ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, që filloi në shkurt të vitit të shkuar. UEFA tha se ishte “e vetëdijshme se fëmijët nuk duhet të ndëshkohen për veprime, përgjegjësia e të cilave bie ekskluzivisht te të rriturit dhe është e bindur plotësisht se futbolli nuk duhet të heqë dorë kurrë nga dërgimi i mesazheve të paqes dhe shpresës”.
Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s u bë publik derisa po zhvillohej një ndeshje e Ligës së Kombeve për futbolliste në Armeni, që ishte ndeshja e parë evropiane e drejtuar nga gjyqtarët rusë. Gjyqtarët rusë nuk u përjashtuan në mënyrë specifike nga UEFA për ndeshjet e saj, por asnjë nuk u zgjodh derisa Vera Opeykina dhe tre asistentë u caktuan këtë muaj për ndeshjen mes Armenisë dhe Kazakistanit. Këtë ndeshje e fitoi Kazakistani me rezultatin 2:1.
Çështjet e udhëtimit nëpër Evropë për qytetarët rusë – që përballen me vështirësi për viza dhe me opsione të kufizuara fluturimi – kanë qenë një faktor në moscaktimin e gjyqtarëve nga UEFA dhe nuk ishte menjëherë e qartë të martën se ku mund të luanin tani ekipet ruse të të rinjve. UEFA tha se do të përpiqet të hartojë rregulla për përfshirjen dhe shtimin e përfaqësueseve të reja të Rusisë në të dyja konkurrencat – edhe nëse tashmë është hedhur shorti i garave.
“Është veçanërisht e trishtueshme që për shkak të konfliktit të qëndrueshëm, një brez të miturish privohet nga e drejta për të garuar në futbollin ndërkombëtar”, tha UEFA, duke shtuar se të gjitha ndeshjet ku përfshihen ekipet ruse “do të luhen pa flamurin e vendit, himnin, pa fanella me logo nacionale dhe jo në territorin rus”.
“Në të njëjtën kohë Komiteti Ekzekutiv përsëriti dënimin e tij për luftën e paligjshme të Rusisë dhe konfirmoi se pezullimi i të gjitha ekipeve të tjera të Rusisë (klubeve dhe ekipeve përfaqësuese) do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e konfliktit në Ukrainë”, tha UEFA.
UEFA vitin e kaluar i dha fund marrëveshjes afatgjate të sponsorizimit të Ligës së Kampionëve me firmën shtetërore ruse të energjisë “Gazprom”.
Finalja e Ligës së Kampionëve e vitit 2022 u zhvendos nga stadiumi në pronësi të “Gazpromit” në Shën Petersburg për në Paris.