Në ditën kur Armand Duka u zgjodh zëvendëspresident i UEFA-s, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur përfaqësues të klubeve dhe veteranë të futbollit. Ademi ka njoftuar ata për gjendjen e futbollit, të arriturat dhe projektet e programin e FFK-së.
Sipas njoftimit të FFK-së, “veteranët e futbollit dhe përfaqësuesit e klubeve bënë pyetje të shumta dhe lëvdata e falënderime për punën dhe programin e FFK-së, derisa ndër pyetjet kryesore ishin pengesat e Komisionit ministror për vërtetimet e sponsorizimit”.
“Ata paraqitën shumë vërejtje për pengesat që po u bëhen klubeve për këto vërtetime, përkundër licencimit të klubeve të tyre, e gjithashtu edhe për sektorin e OJQ-ve, që po i maltreton klubet për regjistrim”, thuhet në njoftim.
Kryetari i FFK-së ka thënë se shqetësimet e klubeve janë edhe brengë e FFK-së. Ai ka vlerësuar se padrejtësisht dhe qëllimisht po bëhen pengesa për vërtetimin për sponsorizim.
“Ai bëri me dije se këtë çështje e ka ngritur deri në zyrën e ministrit dhe sigurisht që shumë shpejt do të zhbllokohet kjo çështje nga njerëz që mundohen t’i japin rëndësi vetes, duke keqpërdorur pozitat shtetërore. Sipas kreut të FFK-së është e drejtë e sponsorëve që të mbështesin këdo që dëshirojnë dhe këtë nuk mund t’ua ndalojë askush. Ai ka konfirmuar edhe një herë se FFK do t’u qëndrojë afër dhe do t’i ndihmojë klubet me të gjitha mundësitë e saj financiare në mënyrë që garat të zhvillohen në mënyrë të rregullt. I pari i FFK-së ka thënë se futbolli dhe njerëzit e futbollit nuk mund t’i ndalë askush me këso veprime. Ai në fund ka falënderuar klubet dhe udhëheqësit e tyre për mbështetjen në organizim e qëndrueshmëri”, ka njoftuar FFK-ja.