Dinamo e Zagrebit luan më 5 tetor ndaj Ballkanit në Prishtinë, në kuadër të fazës grupore të Ligës së Konferencës.
“Dinamo është gjithnjë Dinamo. Ndaj saj asnjëherë nuk ka ndeshje të lehtë. Ballkani në Prishtinë po luan shumë mirë, me guxim, lojë kolektive. E ka mposhtur kampionin e Bullgarisë 2:0, ishte superior. Ballkani ka dy-tre lojtarë shumë të mirë që janë kandidatë për reprezentacionin tonë. Për këtë Dinamo duhet të ketë kujdes dhe të jetë maksimalisht e koncentruar”, ka thënë selektori i Kosovës, Primozh Gliha.
Ai ka përmendur telashet e ekipeve kosovare.
“Të gjitha ekipet kosovare kanë lojtarë të mirë në aspektin teknik. Problemi i të gjitha klubeve, si i reprezentacionit është ai që ia kam thënë edhe presidentit të federatës – kosovarët për ne sllovenët në sulm janë brazilianë, por ne sllovenët për kosovarët jemi gjermanë në mbrojtje. Problemi më i madh i tyre është mbrojtja. Pa mbrojtje, pa karakter të fuqishëm në vijën e fundit, nuk mund të bëni shumë”, thotë Gliha.
Slloveni ka folur edhe për ambiciet e Ballkanit në grup.
“Në njërën anë është ekip shumë ambicioz e në anën tjetër shumë real. Kur kemi luajtur me Rumaninë kam thënë se tradita është dallimi më i madh mes nesh. Në futboll kjo është shumë e rëndësishme. Kur ke përvojë, të mirë e të keqe, mëson prej saj. Janë të rinj (lojtarët e Ballkanit) dhe po të kishin përvojë e traditë, me kualitetin që kanë do të mund të bënin shumë më tepër”, thotë Gliha.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.