Kampionia e Kosovës në basketboll, Peja, do ta kërkojë suksesin në Ligën e Kampionëve. Të hënën prej orës 13:00, Peja luan me skuadrën daneze Bakken Bears Aarhus. Ndeshja zhvillohet në Belek të Turqisë.
Ndeshja i takon çerekfinales së raundit kualifikues të Championsit. Në rast të fitores, Peja në gjysmëfinale takohet me fituesin e ndeshjes Kalev (Estoni) – Norrkoping Dolphins (Suedi). I duhet ta kalojë me sukses edhe finalen e raundit kualifikues për të dalë në stinorin e rregullt.
Gjasat e Pejës për të dalë në stinorin e rregullt nuk janë të mëdha. Por ekipi pejan pritet të vazhdojë në FIBA Europe Cup.
Peja për herë të parë luan në Champions. Kundërshtarja e saj është skuadër dominuese në Danimarkë. Ka 20 tituj të Danimarkës dhe 12 trofe të Kupës. Bakken Bears ka përvojë të gjatë në gara evropiane dhe llogaritet favorite ndaj Pejës.
“Bakken Bears ka në përbërje lojtarë me përvojë, të cilët janë të dëshmuar në ligat më të mira evropiane. Na pret një ndeshje shumë e vështirë në të cilën do të japim maksimumin që të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka shkruar Peja.
Në kualifikime të Championsit paraqiten 24 skuadra. Vetëm tri prej tyre kalojnë në pjesën e rregullt të edicionit.
Pos Pejës në gara evropiane paraqitet edhe Trepça. Skuadra mitrovicase do të garojë në FIBA Europe Cup, që është niveli i katërt i garave evropiane për skuadra të basketbollit. Liga e Kampionëve është niveli i tretë, pas Euroligës dhe Euro Cup.
Peja e ka nisur edicionin në Superligë me fitore. Të premten e mposhti me 20 pikë dallim skuadrën e Vëllaznimit. Ndërkohë javën e kaluar u mposht nga Trepça në finale të Superkupës.