Kosovës të enjten “iu shtua” edhe një stadium modern e shumë i bukur. Bëhet fjalë për stadium me 17 mijë ulëse dhe në të cilin mund të luhen ndeshje të ndryshme evropiane. “Behania” e vetme është që stadiumi ekziston vetëm në letër. Është vetëm një projekt, për të mos thënë dëshirë, që kushedi se kur do të realizohet.
Stadiumet e paraqitura si makete e të vizatuara në letër janë trend në Kosovë. Por gjendja reale me infrastrukturën e futbollit është shumë e rëndë. Kosova vazhdon ta ketë vetëm një stadium për ndeshje evropiane të përfaqësueseve dhe skuadrave. Në “Fadil Vokrri” në Prishtinë luhen të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të futbollit kosovar. Edhe ky objekt sportiv, sidomos fusha e tij, lë shumë për të dëshiruar. Shumë prej ekipeve e përfaqësueseve mysafire janë ankuar për gjendjen e fushës në stadiumin në Prishtinë. Që fusha të ruhet, skuadra e Prishtinës nuk është lejuar këtë edicion t’i luajë ndeshjet në shtëpinë e saj. Deri më tani është detyruar që si vendase të luajë në Hajvali, në Kampin Nacional të Federatës.
Projekte ambicioze për stadiume moderne ka kohë që tërheqin vëmendjen e tifozëve të futbollit në Kosovë. Të enjten me një projekt u paraqit Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Suharekës. Në fakt postimi i tij ishte më shumë përgjigje ndaj ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, që ditë më parë përmendi një stadium modern në Suharekë. Ai tha se buxheti do të ndahet për stadium, porse fillimisht Komuna duhet të caktojë lokacionin dhe të punojë projektin zbatues.
Dhe Muharremaj të enjten shkroi se Komuna e Suharekës është gati për stadium, pas angazhimit serioz.
“Ekziston lokacioni si parcelë kadastrale, në sipërfaqen 16 hektarë. Po ashtu e kemi edhe projektin ideor të stadiumit të qytetit, kategoria katër me kapacitet prej 17 mijë ulësesh. Ne i mirëpresim zyrtarët nga Ministria për të vazhduar me procedurat e tjera”, ka shkruar Muharremaj.
Postimin e ka shoqëruar me fotografi të një projekti të një stadiumi shumë të bukur. Muharremaj përkrahje të menjëhershme mori nga Ballkani, klubi kampion i Kosovës në futboll dhe që ka arritur sukseset më të mëdha deri më tani. Në mungesë të stadiumit të denjë në Suharekë, Ballkani po detyrohet që si vendas në Ligën e Konferencës të luajë në Prishtinë. Në “Fadil Vokrri” natyrisht.
Me ironi është “përgjigjur” kryetari i komunës së Gjilanit, Alban Hyseni. Ai ka paraqitur një fotografi të një stadiumi ultra-modern dhe ka shkruar: “Ky është projekti i stadiumit të qytetit. Kapaciteti përmbi 50 mijë persona”.
Premtimet për stadiume moderne janë të vazhdueshme në Kosovë. Vetëm në javën e fundit, ministri Çeku ka përmendur dy stadiume, rindërtimi i të cilëve ka nisur, por nuk është as afër përfundimit.
“Është hapur rruga për renovimin dhe rikonstrukturimin e stadiumit ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, i cili kishte filluar të ndërtohet pa u bërë shpronësimi i pronave, një procedurë ligjore e obligueshme. Tashmë është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimin e pronave. Nga kategoria 2, stadiumi do të ngrihet në kategorinë 4, me qëllim të plotësimit të kushteve dhe kritereve për zhvillimin e lojërave në përputhshmëri me standardet e UEFA-s dhe FIFA-s”, ka shkruar Hajrulla Çeku tri ditë më parë.
Të shtunën e kaluar, ministri përgjegjës për sport ka shkruar se edhe stadiumi i Gjilanit po bëhet. “Planifikimi i duhur është thelbësor për suksesin e çdo projekti dhe këtë e kemi bërë me Stadiumin e Gjilanit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me secilin projekt infrastrukturor që e fillojmë. Kështu po sigurohemi se ajo çfarë ka ndodhur në qeverisjet e kaluara të mos përsëritet më. Projekti përfundimtar i Stadiumit të Gjilanit, i cili mungonte, tash është hartuar dhe i gatshëm për zbatim, ndërsa buxheti i nevojshëm për financimin e zbatimit veçse është siguruar. Në marrëveshjen e sotme me kryetarin Alban Hyseni zotuam 15 milionë euro për ndërtimin e stadiumit. Procedurat e nevojshme për zbatimin e projektit do të fillojnë menjëherë dhe punimet në tërësi do të nisin sa më parë”, shkroi Çeku. Postimi i tij u shoqërua me fotografi të stadiumit të synuar. Por nuk ka ndonjë datë se kur këto dy objekte do të jenë gati për shfrytëzim.
Për shumë vjet është përmendur edhe stadiumi nacional, që u riaktualizua edhe në ditët e fundit. Janë prezantuar edhe makete të tij. Por ai stadium vazhdon të mbetet vetëm në letër. Madje nuk i është caktuar ende as lokacioni.
Para Suharekës edhe Komuna e klube të tjera kanë prezantuar fotografi të projekteve shumë ambicioze. Por “Fadil Vokrri” vazhdon të mbetet “adresa” e vetme për ndeshje ndërkombëtare të përfaqësueses dhe skuadrave kosovare.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.