3 perditesime
22:55

Ballkanit i mungon fati, pëson 1:0 nga Viktoria Plzeni

Një goditje e devijuar ka vendosur ndeshjen mes Viktoria Plzenit dhe Ballkanit. Skuadra çeke fitoi 1:0 takimin e së enjtes mbrëma, të zhvilluar në “Doosan Arena” në Plzen. Sfida i takoi xhiros së parë të fazës grupore të Ligës së Konferencës.

Në minutën e 73-të, Lukas Kalvach i Plzenit goditi nga distanca. Topi u devijua nga Lumbardh Dellova dhe përfundoi në një kënd që Enea Koliçi e kishte të pamundur ta mbulonte. Skuadra çeke në fakt ka dominuar në fushë, por pa krijuar shumë raste konkrete për shënim.

Ballkani është mbajtur mirë në pjesën e parë, kryesisht falë vendosjes dhe luftës së lojtarëve në fushën e lojës.

Kampioni i Kosovës ka krijuar disa gjysmëraste, ndërsa ishte më konkret vetëm pas pranimit të golit. Në minutën e 83-të, Nazmi Gripshi gjuajti mbi portë në rastin më të mirë në ndeshje të Ballkanit. Në minutën e 86-të, goditje të bukur bëri Qëndrim Zyba.

Por topi shkoi pranë shtyllës. Ballkani për herë të dytë garon në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

Është në Grupin C, të cilin e përbëjnë edhe Dinamo Zagrebi dhe Astana. Dinamo fitoi bindshëm ndaj Astanas të enjten. Pikërisht Dinamo është kundërshtare e Ballkanit në ndeshjen e ardhshme. Gjiganti kroat vjen në Kosovë më 5 tetor.

Ndeshja do të luhet në “Fadil Vokrri”. Plzeni ishte favorit në ndeshjen e së enjtes. Kjo skuadër vjet luajti në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, ndërsa ka përvojë e të gjatë në gara evropiane. Plzeni është në formë shumë të lartë. Fitorja ndaj Ballkanit ishte e 11-ta rresht e Viktoria Plzenit. Por skuadra suharekase ishte kundërshtare e denjë e Plzenit. Ka dëshmuar që me meritë është për herë të dytë rresht në fazën grupore.

22:31

Plzeni në epërsi ndaj Ballkanit

Viktoria Plzeni ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Ballkanit.

Në minutën e 73-të, Kalvach goditi nga distanca, ndërsa topi pas devijimit nga Dellova përfundoi në rrjetë.

21:48

Ballkani me paraqitje të denjë, luan pa gola në pjesën e parë

Ballkani ka pasur paraqitje të denjë ndaj Viktoria Plzenit në pjesën e parë të takimit në Çeki.

Rezultati pas pjesës së parë është 0:0.

Të dy skuadrat kanë kërkuar golin, por pa krijuar shumë raste.

Enea Koliçi kishte një ndërhyrje vendimtare, ndërsa kampioni kosovar krijoi disa gjysmëraste.

21:22

Ndeshje e fortë mes Plzenit dhe Ballkanit

Vikoria Plzeni dhe Ballkani po zhvillojnë ndeshje të fortë në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

Pas 20 minutave lojë rezultati mbetet 0:0.

Ndeshja po zhvillohet kryesisht në mesfushë, ndërsa të dy skuadrat po bëjnë përpjekje për të krijuar rastet e para.