Kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç është shprehur tejet i lumtur dhe krenar me fitoren e ekipit të tij ndaj BATE Borisovit. Ballkani, e mposhti ekipin e madh bjellorus me rezultatin bindës 4:1 në ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës, që u zhvillua të Prishtinë.
Kuç ka thënë se Ballkani ka treguar paraqitje të mirë, nuk është dorëzuar për asnjë moment dhe ka shënuar fitore plotësisht të merituar. Ai ka thënë se kjo fitore nuk është vetëm për Ballkanin dhe tifozët e tij, por për të gjithë Kosovën.
“Urime për Kosovën për të gjithë ata që e duan futbollin dhe Ballkanin. Pas shumë ndeshjeve, lodhjes dhe lëndimet që i kemi, nuk është lehtë që ta ndërrojmë formacionin në ditët e fundit. Por u shtrënguam dhe treguam karakterin që e kemi si ekip. Patëm paraqitje të mirë, edhe pse pësuam gol në fillim, ne nuk u dorëzuam dhe luftuam deri në fund për të shënuar fitore plotësisht të merituar. Kemi luajtur shumë mirë dhe jam krenar me të gjithë lojtarët”, ka thënë Kuç, i cili ka folur edhe për lëndimin e tij që e pësoi gjatë ndeshjes.
“Për këtë ndeshje, ia ka vlejtur edhe për të vdekur, e jo të luaj futboll. Falënderoj stafin mjekësor që ka reaguar shumë shpejt dhe më mundësuan ta vazhdoj lojën”.