Sport

FSHF-ja konfirmon se Arbnor Muja do të ftohet në shtator nga Sylvinho

Shqipëria do t’i ketë dy ndeshje tejet të rëndësishme gjatë muajit të ardhshëm. Përballjet kundër Çekisë në Pragë dhe Polonisë në Tiranë, do të jenë përcaktuese për Shqipërinë në rrugëtimin e saj kualifikues për Evropianin që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani. Shqipëria ndeshjen kundër Çekisë e luan më 7 shtator, kurse tri ditë më vonë përballet me Poloninë në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Për herë të parë, pjesë e grumbullimit për ndeshjet kualifikuese të shtatorit pritet të jetë edhe sulmuesi i krahut, Arbnor Muja. Muja, i cili ditë më parë u pajis me pasaportë shqiptare, pritet të ftohet nga përzgjedhësi i Shqipërisë, braziliani Sylvinho. Kështu ka bërë të ditur shefi i Departamentit të Komunikimit në FSHF, Andi Verçani, të enjten për KOHËN.

“Siç është shprehur edhe familja e vet, Arbnor Muja do të luajë për Shqipërinë dhe do të jetë në listë për ndeshjet e muajit shtator. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë për të dhe të kemi sukses në dy ndeshjet e muajit shtator”, ka thënë Verçani për KOHËN.

Vlerësime të mëdha për Mujën pati trajneri brazilian i Shqipërisë, Sylvinho. Ai në një intervistë dhënë më 26 qershor për KOHËN, pati thënë se Muja është lojtar i mirë.

“A po flisni për Mujën? Në rregull, po, e njoh atë. Lojtar i krahut të djathtë, lojtar i mirë. Keni disa lojtarë të tjerë në atë pozitë, ai është një prej tyre. Po shikojmë para. Po e shikojmë edhe atë, është lojtar i mirë. Nuk dihet e ardhmja, por po, padyshim, ai është një prej lojtarëve të mirë që kemi”, pati thënë tekniku brazilian.

Në fakt, Muja i bashkohet Shqipërisë pas përplasjes në distancë me ish-përzgjedhësin e Kosovës, Alain Giresse. Francezi Giresse, në konferencën për media të mbajtur për ndeshjet e qershorit, pati thënë se Muja kishte marrë ftesë të luajë për Kosovën. Por, sipas tij, Muja ka kërkuar garanci se do të jetë titullar për të qenë pjesë e grumbullimit, gjë që nuk ia ka garantuar Giresse.

“Sa i përket Mujës, në fakt e kam ftuar për miqësoret që i kemi pasur në nëntor, por nuk ka ardhur. Pastaj e kam ftuar për ndeshjet e muajit mars dhe ishte pjesë e ekipit. Sa u përket këtyre ndeshjeve, Muja ka kërkuar garanci për vendin e titullarit, gjë që i kam shpjeguar se askush nuk e ka të garantuar një gjë të tillë. Dhe, nëse mendon kështu, atëherë është më mirë të mos vijë sesa të vijë e të mos luajë”, pati thënë Giresse.

Pak orë pas konferencës, Muja reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale. Mohoi të ketë kërkuar garanci se do të luajë, por pranoi se ka shprehur pakënaqësi që nuk ka luajtur në ndeshjet e marsit. Shkroi se deklarata e Giresset është e pavërtetë dhe se emrin e tij selektori nuk mund ta njollosë.

“Me selektorin Giresse dhe ndihmësin e tij kam biseduar gjatë pjesëmarrjes sime në ndeshjet e marsit. Kërkesa ime ka qenë për të ditur se ku qëndroi në planet e selektorit Giresse për ndeshjet e ardhshme dhe pse nuk jam paraqitur ndaj Izraelit dhe Andorrës. I kam treguar që mendoj se ka qenë e padrejtë mosprezenca ime në ndeshjet e marsit”, ka pati shkruar Arbnor Muja.

Muja, i cili ka fituar titullin e kampionit dhe kupën me Antwerpin në Belgjikë, feston golat e tij duke formuar me dy duart figurën e shqiponjës. Muja iu bashkua Antwerpit nga Drita e Gjilanit në verën e kaluar. 24-vjeçari ka kontratë me ekipin nga Belgjika deri në vitin 2025 me opsionin e vazhdimit edhe për një vit tjetër. Ai ka luajtur për U21 të Kosovës, ku ka regjistruar 6 paraqitje.