Sport

Triumfi me Bayernin në Champions, momenti më i mirë në karrierë për Shaqirin

Xherdan Shaqiri është vendosur mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai merr shumë vëmendje kur është i pranishëm në ndeshjet e Chicago Cubs në bejsboll. Dhe, pa dyshim që i pëlqen. Xherdan Sahqiri që nga mosha 21-vjeçare nuk jeton në Zvicër. Rruga e tij e çoi atë në Chicago Fire nëpërmjet Bayern Muenchenit, Interit, Stoke Cityt, Liverpoolit dhe Lyonit. Por 31-vjeçari thotë se momenti më i mirë në karrierë është triumfi në Ligën e Kampionëve me fanellën e Bayernit. Ai u paraqit me flamurin e Zvicrës dhe Kosovës pas triumfit në Ligën e Kampionëve në edicionin 2012/2013 me gjigantin gjerman. Shaqiri 31-vjeçar e ka fituar Ligën e Kampionëve edhe me Liverpoolin në edicionin 2018/2019. Por ai insiston se triumfi për herë të parë në garën më të madhe të organizuar nga UEFA në nivel klubesh, është momenti më i mirë në karrierën e tij.

“Momenti më i mirë në karrierën time deri më tani, triumfi në Ligën e Kampionëve për herë të parë me Bayernin,. Ishte një sukses i jashtëzakonshëm dhe gjithmonë kam dashur ta fitoj këtë garë dhe kur e fitova ishte një ndjenje që nuk do ta harroj kurrë, një sukses i madh”, i është përgjigjur Shaqiri njërës prej disa pyetjeve të adhuruesve të Chicagos.

Ndërkohë prej momenteve më të mira të tij në SHBA, Shaqiri thotë se është goli i parë i shënuar për Chicagon. Me Chicagon ka kontratë deri në fund të vitit të ardhshëm. Ai në 24 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual ka shënuar pesë gola dhe po aq asistime.

“Çdo moment po e shijoj te FC Chicago, ndërsa ndjenja më e mirë ishte goli i parë që e shënova me këtë ekip”, ka theksuar Shaqiri.

Ylli i Zvicrës ka zbuluar edhe ekipin e tij nëse do të duhej të luante në një ndeshje futbolli “pesë me pesë”. Ai përfshiu Manuel Neuerin, Paolo Maldinin, Lionel Messin, Zinedine Zidane dhe Ronaldinhon.

“Sigurisht se me këta lojtarë do ta fitoja çdo ndeshje”, ka thënë futbollisti i lindur në Gjilan.

Shaqiri ka thënë se i mungon shumë familja, e po ashtu edhe malet e Zvicrës, ndërsa në Chicago thotë se i pëlqen veçanërisht stina e verës. Për Zvicrën ai ka shënuar 27 gola në 114 ndeshje.

“Të gjithë dalin jashtë, ka shumë ngjarje sportive që mund t’i shikoni. Më pëlqen”, thotë Shaqiri.

Shaqiri ka një vit e gjysmë që luan në kampionatin e SHBA-së.