Portieri i Chelseat, Kepa Arrizabalaga, pritet ta kompletojë transferimin te Real Madridi, pasi ka refuzuar mundësinë për t’iu bashkuar Bayern Munichut.
Spanjolli 28-vjeçar do të kthehet në vendin e tij të lindjes, pas pesë vjetësh të kaluar në “Stamford Bridge”. Portieri më i shtrenjtë i botës u transferua te Chelsea në vitin 2018 nga Athletic Bilbao për 80 milionë euro.
Por me ardhjen e Edouard Mendyt dy vjet më vonë, Arrizabalaga kishte mbetur zgjedhje e dytë.
Ai do të mbahet mend për refuzimin e daljes nga loja në finale të “Carabao Cup” në vitin 2019.
Te Reali, Arrizabalaga do të transferohet si zëvendësues i portierit të parë, belgut Thibaut Courtois, që ka pësuar lëndim të rëndë të ligamenteve të gjurit.