Sport

Shkupi pëson edhe në Bullgari, eliminohet nga Levski

Ekipi shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Shkupi i ka dhënë fund aventurës evropiane për këtë edicion.

Shkupi është eliminuar nga Levski i Sofjes në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Në ndeshjen e kthimit të luajtur të enjten mbrëma në Bullgari, Shkupi u mposht nga Levski 1:0, rezultat ky që konfirmoi eliminimin e ekipit shqiptar.

Golin e vetëm në këtë përballje, Levski e shënoi në minutën e 11-të të kohës shtesë nëpërmjet sulmuesit Marin Pektov. Levski e ka fituar ndeshjen e parë të luajtur javën e shkuar me shifrat 2:0, dhe ka avancuar tutje me rezultatin e përgjithshëm 3:0.

Shkupi bëhet ekipi i dytë shqiptar nga Maqedonia e Veriut, që eliminohet nga garat evropiane. Para Shkupit është eliminuar edhe Shkëndija e Tetovës, por në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës.

Struga si kampione e këtij vendi, do të paraqitet në rundin e dytë kualifikues të kësaj gare, ku do të përballet me skuadrën nga Luksemburgu, Swift Hesperange.