Dion Berisha e ka nisur me sukses aventurën te të rinjtë e skuadrës së madhe gjermane, Bayern Munich. Berisha ka disa javë që i është bashkuar skuadrës bavareze nga të rinjtë e Augsburgut, skuadrës tjetër gjermane ku edhe është zhvilluar si lojtar.
20-vjeçari u zyrtarizua si lojtar i Bayernit më 1 korrik, ndërsa nënshkroi kontratë deri në vitin 2025.
Berisha, që ka tri paraqitje me Kosovën U21 dhe një gol të shënuar, e ka nisur mbarë edicionin me Bayernin II. Ka shënuar gol që në ndeshjen e parë.
“Jam ambientuar mirë. Djemtë më kanë pritur mirë dhe shumë gjëra kanë ndodhur në javët e kaluara në përgatitje para sezonit të ri. Kam mësuar gjëra të reja nga fillimi. Kam nisur me teste në detaje, me të cilat nuk kisha provuar kurrë më parë. Ekipi më ka bërë më të lehtë integrimin, ndërsa disa prej lojtarëve veçse i kam njohur më parë. Po kënaqemi shumë. Po punojmë me intensitet të lartë çdo ditë”, tha Berisha që luan si sulmues i krahut të djathtë, por mbulon edhe pozitat e mesfushorit sulmues dhe atë të sulmuesit të dytë.
Berisha pas dhjetë minutash lojë me skuadrën e re kishte shënuar gol kundër Garchingut në miqësore, ndërsa realizoi gol edhe kundër Burghausenit në duelin e parë të edicionit të ri, të cilin Bayerni II e fitoi 2:0.
“Mund të përshtatem lehtë, sepse jam person i hapur. Natyrisht më mungon familja shumë sepse po jetoj vetëm për herën e parë, por kjo është krejtësisht normale”, është shprehur Berisha për faqen zyrtare të klubit.
Golit të parë Berisha i është gëzuar shumë. Ka thënë se ka qenë moment i veçantë në karrierë.
“Ishte moment i veçantë për mua – po ashtu mënyra se si shënuam. Kemi stërvitur në atë mënyrë dhe funksionoi në lojë që në ndeshjen e parë. Shënimi me kokë është edhe më i veçantë, sepse për mua është më sfiduese”, deklaroi Berisha që u gëzua më pas me Davide Dell’Erban.
“Kam luajtur me të tek Augsburgu në vitet e fundit dhe e njoh atë që prej grupmoshës U14. Kur ai shënoi golin e parë për Augsburgun U23, vrapoi drejt meje. Para duelit me Burghausenin, ai më tha se edhe unë duhet ta bëja të njëjtën gjë nëse do të shënoja. Dhe ashtu bëra. Ai është shok i mirë imi, me të cilin flasim edhe tema të tjera përveç futbollit”, ka thënë Berisha që vlerësohet shumë te bavarezët.
Te Bayerni II, është edhe Benjamin Dibrani. Berisha e ka përmendur edhe Dibranin në intervistën e fundit për klubin, me të cilin tha se del kur ka kohë të lirë, pasi qyteti i Munihut i ofron mundësi për shkak të bukurisë që ka.
Sfiduese është edhe fakti që Berisha jeton i vetëm në shtëpi.
“Jam mësuar me këtë gjë shpejtë. Dy ditë para ndeshjeve, përgatis ushqim për veten dhe kam një plan të rreptë ushqimor, të cilit duhet t’i përmbahem. Është situatë e re për mua pasi jam vetëm. Sidoqoftë, unë mundohem ta vizitoj
familjen time në Augsburg sa më shpesh që mundem. Rruga nuk është edhe aq e largët. Prindërit e mi vijnë tek unë në çdo javë”, thotë futbollisti me rrënjë nga Kosova, por që u lind në një shtet krejtësisht tjetër, në Francë.
“Ende kam anëtarë të familjes në Lyon. Tezet, daja dhe gjyshi jetojnë atje. Shumica e familjarëve janë në Kosovë ende. Gjatë festave shkoj atje dhe i vizitoj. Jam familjar dhe më pëlqen të udhëtoj me prindërit e mi. Po ashtu, kam një motër të vogël. Ajo kishte sot ditëlindjen dhe e kam uruar tashmë. Kam jetuar në Francë për një vit e gjysmë. Motra ime u lind në vitin 2005 dhe u transferuam në Gjermani. Për këtë arsye, flas gjuhën frënge, të cilën e kam mësuar në shkollë, por flas rrjedhshëm gjuhën shqipe, gjermane dhe angleze”, deklaroi Berisha.
Berisha nuk ka lojtar që mund ta veçojë, por për model e merr Leroy Sanen dhe thotë se nga ai mëson shumë.
“Prioritet për mua është sezoni dhe zhvillimi im. Dua të luaj sa më shumë që është e mundur, ta ndihmoj ekipin me gola dhe me asistime, por të jap kontribut edhe në fazën e mbrojtjes”.