Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka njoftuar që Taulant Hodaj më nuk është sekretar i përgjithshëm i FFK-së.
Ademi përmes një postimi ka njoftuar se Hodaj është “inauguruar si konsull i përgjithshëm i Mbretërisë së Norvegjisë”.
Ademi ka shkruar se ishte i lumtur që kishte një kalibër të Hodajt në rolin e sekretarit të përgjithshëm të FFK-së.
“Gjatë kohës që ishte në këtë pozitë, ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, duke u shquar si një jurist i shkëlqyer dhe një bashkëpunëtor i denjë për të gjithë. Taulant Hodajt i takon një falënderim i madh për punën e tij të zellshme dhe kontributin e tij të çmuar në futbollin e Kosovës, për aq kohë sa ishte pjesë e FFK-së. Unë dhe FFK e respektojmë dhe e vlerësojmë thellësisht për ndihmën e tij në zhvillimin e sportit tonë të dashur dhe e falënderojmë për kontributin e dhënë. Njëherësh jam i lumtur që Taulant Hodaj do të jetë sërish pjesë e futbollit në rolet e tjera, pasi me të do të vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe të këshillohemi për çështjet juridike të një institucioni kaq kredibil siç është FFK. Pra, tanimë ish-sekretarin tonë të përgjithshëm e kemi një diplomat të ri, të cilin e zgjodhi jo rastësisht shteti norvegjez. Me këtë rast i falënderoj edhe ata për besimin e dhënë, e them këtë pasi Taulant Hodajn e llogarisim si pjesë të familjes tonë të futbollit”, ka shkruar Agim Ademi.