Sport

Plzeni synon ta eliminojë Dritën

Te Viktoria Plzeni kanë mirëpritur shortin për rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku do të përballen me skuadrën e Dritës.

Drita është nënkampione e Kosovës, ndërsa ndeshjen e parë ndaj Plzenit e luan në udhëtim.

Duelet e këtij rundi kualifikues, do të zhvillohet më 27 korrik dhe 3 gusht.

Te skuadra çeke, kanë pranuar se nuk do ta kenë lehtë ndaj Dritës, por kanë insistuar se dëshirojnë avancimin në rundin e tretë të Ligës së Konferencës.

Trajneri Miroslav Koubek e ka quajtur Dritën si ekip tejet interesant. Ai ka pranuar se Plzeni është favorit ndaj Dritës.

Sipas tij, niveli i Dritës është i ngjashëm me të Ballkanit, ekip që u përball edicionin e shkuar me Slavinë e Pragës në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Ne nuk heqim dorë nga roli i favoritit, përkundrazi, ne futemi si favorit dhe këtë duhet ta pranojmë. Drita është një ekip i nivelit të ngjashëm me Ballkanin, me të cilin pati telashe Slavia. Këtë e kemi parasysh dhe besoj se do të jemi gati për këto përballje”, ka thënë Koubek.

Sulmuesi Jan Kliment ka thënë se te Plzeni janë të kënaqur me shortin, ndërsa ka shtuar se e rëndësishme për ekipin e tij është që ta fitojë ndeshjen e parë në shtëpi.

“Kemi folur me lojtarët tjerë dhe jemi pajtuar se është short i kënaqshëm. Drita është nënkampione e Kosovës dhe nuk duhet ta nënçmojmë në asnjë mënyrë. E rëndësishme është që ta fitojmë ndeshjen e parë që e luajmë në shtëpi. Pres përkrahjen e madhe të tifozëve dhe kjo do të jetë avantazhi ynë”, shtoi Kliment.

Ndërkohë, mesfushori Adam Vlaknova ka insistuar se synimi i Plzenit është që të paraqitet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.

“Motivimi është i madh, pasi në duam të luajmë në fazën e grupeve. Synimi është të jemi në grupe, por fillimisht duhet ti mposhtim kundërshtarët gjatë kualifikimeve”, u shpreh Vlaknova.

Viktoria Plzeni në edicionin e fundit, përfundoi në pozitën e tretë në kampionatin e Çekisë.