Institucioni më i lartë i basketbollit, FIBA, ka vendosur ta përjashtojë përjetësisht gjyqtarin kosovar Daut Mehmeti, i cili është i përfshirë në trukime të ndeshjeve. KOHA ka mësuar se dyshohet të jetë i përfshirë edhe një gjyqtar kosovar. Trukimet, sipas “basketnews”, kanë ndodhur në Ligën Ballkanike. Federata e Basketbollit të Kosovës ka thënë se e ka pranuar vendimin dy ditë më herët.
Gjyqtari kosovar i basketbollit, Daut Mehmeti, është përjashtuar përjetësisht nga FIBA për kundërshtimin e Kodit të Sjelljes dhe Integritetit të Federatës Botërore. Sipas faqes zyrtare të institucionit më të lartë të basketbollit (FIBA), dënimi tashmë është vendosur ndaj Mehmetit.
Arsyeja që ka sjellë dënimin për gjyqtarin 37-vjeçar janë bastet dhe trukimet e paligjshme të disa ndeshjeve që ai i kishte gjykuar.
Mehmeti ka gjykuar gjashtë ndeshje të Maccabi Haifas në nëntë paraqitjet e tij të fundit në parket.
Njoftimi për dënim përmend “pezullim nga kryerja e funksionit” dhe “ndalim të pjesëmarrjes në të gjitha aktivitetet e FIBA-s” për shkelje të Kodit të Etikës dhe Integritetit të federatës, për sa i përket basteve dhe manipulimit të garave nga Mehmeti.
Mehmeti nuk kishte gjykuar asnjë ndeshje në edicionin e sivjetmë të Superligës së Kosovës në basketboll. Sipas asaj që ka mësuar KOHA, Mehmeti ishte i suspenduar.
Ka shumë vjet që Liga Ballkanike ka qenë shumë e dyshuar për kurdisje të ndeshjeve. Kjo ishte njëra prej arsyeve që FBK-ja shumë vjet më parë është distancuar në një mënyrë nga kjo ligë. Por skuadrat kosovare kanë vazhduar të jenë pjesë e saj e po ashtu gjyqtarët.
Burime të afërta me zhvillimet kanë thënë se dyshohet për një rrjet të shtrirë në shumë vende të Ballkanit që bëri kurdisje të ndeshjeve të basketbollit.
“Dyshohet për përfshirjen edhe të një gjyqtari tjetër nga basketbolli kosovar”, kanë thënë burime të KOHËS.
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka thënë për KOHËN se vendimin e kanë pranuar dy ditë më parë dhe do ta zbatojnë, porse nuk ka komentuar më shumë.