Manchester City duhet ta kalojë një mbrojtje të fortë të Interit për ta fituar trofeun e parë të Ligës së Kampionëve, sipas trajnerit të skuadrës angleze, Pep Guardiola.
Shumë njohës të futbollit thonë se shpresa e vetme e Interit është që ta ndalë makinerinë e golave, Erling Haaland, dhe më pas të mbrohet, të mbrohet edhe më shumë, dhe të shpresojë në fat.
Por, Guardiola ka treguar respekt për Interin, duke thënë se kjo skuadër ka më shumë cilësi se kaq.
“Ka shumë cilësi. Interi nuk është ekip që vetëm mbrohet. Thuhet se ekipet italiane dinë vetëm se si të mbrohen, por Interi mund të bëj shumë gjëra tjera. Interi e ka aftësinë ta mbajë topin dhe të shënojë gola. Interi di si të sulmojë nga qendra dhe nga krahët. Ne do të mundohemi të mbrohemi sa më mirë që është e mundur. Në finale duhet të jesh stabil. Të mbrohesh mirë, të sulmosh dhe të kontrollosh lojën. Duhet të jesh i durueshëm. Gjëja më e rëndësishme është të mendosh se është 0:0 dhe ne nuk jemi duke humbur. Ekipet italiane kur rezultati është 0:0, mendojnë se janë duke fituar, por nuk janë duke fituar”, ka theksuar Guardiola.