Hendbollistet e Istogut kanë vetëm fitore në këtë edicion. Fitoren e fundit e synojnë të mërkurën mbrëma në Vushtrri, ku luhet ndeshja e dytë e serisë finale. Përballë Istogut do të jetë Vushtrria, që në ndeshjen e parë pësoi me rezultat 37:24. Ndeshja luhet prej orës 19:00.
Gjasat vlerësohen jo shumë të mëdha që Vushtrria ta ndalë serinë e fitoreve të Istogut. Istogu në përbërje ka reprezentuese të Kosovës dhe plot lojtare të huaja. Ndërkohë Vushtrria ka kryesisht lojtare të reja.
Istogu e ka fituar Kupën e Kosovës javë më parë dhe dominimin e plotë synon ta konfirmojë me titull të kampionit. Për Istogun do të ishte i treti në histori.
“Skuadra është e përgatitur dhe të gjitha jemi të gatshme. Presim të realizojmë synimin që e kemi, mbrojtjen e titullit të kampionit. I kemi fituar të gjitha ndeshjet, kemi luajtur si ekip dhe mendoj që e kemi merituar plotësisht. Presim ta festojmë titullin e tretë në histori të klubit në Vushtrri. Jam shumë e lumtur që klubi në të cilin jam rritur, sot është një prej më të suksesshmëve në Kosovë. Për mua është kënaqësi dhe nder që jam kapitene e Istogut”, ka thënë Albina Rugova, aloja e Istogut.
Te Vushtrria pranojnë nivelin e Istogut, por megjithatë premtojnë angazhim deri në fund në kërkim të fitores. Në rast të fitores së Vushtrrisë, titulli përcaktohet në ndeshjen e tretë që do të luhej në Istog.
“Rezultati 1:0 në të mirë të kundërshtarit nuk na ka demotivuar. E kemi dëshmuar këtë edhe në gjysmëfinale që ka qenë motiv dhe mobilizim për lojën e dytë. Kështu që jemi të përgatitura për lojë, pavarësisht se kemi një ekip me lojtare të reja. Jemi vendase dhe e kemi përkrahjen e publikut gjë që është shumë e rëndësishme për ne. Do të japim maksimumin që të zhvillojmë lojë të mirë dhe të shkojmë në ndeshjen e tretë finale. Do dëshmohemi si ekip me shpirt luftarak”, ka theksuar Burneta Rama, kapitene e Vushtrrisë.
Te hendbollistët në finale janë Besa Famgas e Trepça. Besa e ka fituar me tre gola dallim ndeshjen e parë të luajtur në Pejë. Ndeshja e dytë është të enjten mbrëma në palestrën “Minator” në Mitrovicë.